Indrit Tuçi po shijon muajt më të mirë në karrierën e tij. Sulmuesi shqiptar po shkëlqen më Lokomotivën e Zagrebit, me të cilët deri më tani ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 2 asiste. Tuçi ishte i ftuar në lidhje direkte me emisionin “Analizë Kuqezi” në “Supersport” dhe ka folur më tepër rreth objektivave të tij për të ardhmen. Lojtari i Lokomotivës së Zagrebit ka deklaruar se dëshiron të hedhë sa më shpejt hapin e radhës në karrierë, ndërsa sa i përket Kombëtares, shprehet se është gati për të veshur fanellën kuqezi dhe po pret për të marrë një ftesë nga Silvinjo në të ardhmen.
“Është çështje kojë me formën që po tregoj. Sigurisht dua të shkoj diku ku të luaj, jo të qëndroj në stol. Preferoj që të largohem që në janar, të kem më shumë kohë për t’u përshtatur. Ka pasur ca interesime të vogla, por nuk po fokusohem aty, e ka mendjen në fushë. Më mirë t’ia lëmë kohës. Tani është momenti i duhur për të lëvizur. Puna që bëjnë kroatët me të rinjtë është për t’u marrë shembull. Fitojnë miliona nga transferimet.
Po na bëjnë krenarë, kemi dy ndeshje të fundit dhe shpresoj që të jemi në Europian. Do të doja të isha, por sigurisht që vendos trajneri. Unë do të jem gati, nëse trajneri mendon se mund t’i shërbej. Synimi i çdo lojtari është të luajë me Kombëtaren, sidomos kur luan në Europian. Është ëndrra e çdo lojtari, dua të vazhdoj me këtë ritëm, jam gati dhe po pres. Dua që Kombëtarja të ketë sa më shumë suksese”, ka thënë Indrit Tuçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/