Projekti “Step by Step” i FSHF-së rikthehet sërish në muajin gusht. Në “Shtëpinë e Futbollit” në kuadër të këtij projekti më datë 12 gusht do të stërviten lojtarët më të talentuar të grupmoshës U-17 të cilët aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar.
Lojtarët e përzgjedhur do të grumbullohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa seanca stërvitore do të drejtohet nga trajneri i ri i ekipit Kombëtar U-17, Andrea Tedesco, i cili do të punojnë me futbollistët në aspektin fizik e teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual. Gjithashtu në çdo seancë stërvitore në kuadër të projektit “Step by Step” do të marrin pjesë edhe anëtarë të stafit të përgatitësve atletikë të Kombëtares si edhe përfaqësues nga sektori i zhvillimit të portierëve në FSHF.
Projekt “Step by Step” synon të angazhojë të gjithë lojtarët që jetojnë në Shqipëri e që janë pjesë e ekipeve tona kombëtare të këtyre moshave, më qëllim përmirësimin e nivelit të ekipeve kombëtare të moshave si edhe të rritet sa më shumë cilësia e lojtarëve vendas, të cilët janë pjesë e klubeve dhe akademive shqiptare, në mënyrë që ato të bëhen baza e ekipeve kombëtare të moshave.