Partizani do të luajë të enjtën shansin e fundit për një biletë për në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Duke nisur nga ora 20:00, në “Elbasan Arena”, të kuqtë do të zhvillojnë ndeshjen e kthimit me Saburtalon. Kryeqytetasit u mposhtën me shifrat 2-0 në Gjeorgji dhe tashmë synojnë përmbysjen e madhe.
Por për t’ja arritur qëllimit kanë nevojë për mbështetjen e tifozëve. Nënkampionët e Shqipërisë kanë nxjerrë në shitje biletat. Çmimi më i ulët për të ndjekur nga afër ndeshjen është 200 lekë në tribunët C, D, E, F dhe G. Ndërkohë, në tribunat A dhe V bileta kushton 1000 lekë, ndërsa në tribunën VIP çmimi kap shifrën e 2000 lekëve. Blerja e biletave mund të kryhet online në “al.ebileta.al” dhe fizikisht në pikën e shitjes në sheshin “Skënberbej” në orarin 10:00-20:00. Gjithashtu, në ditën e ndeshjes biletat do të jenë në shitje edhe në stadiumin “Elbasan Arena”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/