Mirlind Daku ka shkëlqyer sërish te Rubin Kazani. Sulmuesi shqiptar shënoi një gol dhe dha një asist në humbjen 2-3 ndaj Khimki. Daku shkëlqeu jo vetëm me kontributin e tij në golat e shënuara, por edhe me lojën e zhvilluar. E për këdo që nuk e ka parë ndeshjen, mjafton komenti i medias ruse “Gazeta.ru”, për të kuptuar performancën e lojtarit shqiptar.
“Daku bëri gjithçka që donte. Ai ka shkatërruar në një duel personal mbrojtësin kundërshtar Nemanja Andjelkovic. Ky i fundit i shkaktonte faull vazhdimisht, e kapte nga fanella. Arbitri i ndeshjes e qortoi disa herë me gojë Nemanjën: “Luaj pastër, përndryshe të ndëshkoj!”. Në fund ai e ndëshkoi me karton të verdhë për një ndërhyrje. Skuadra e Rubinit kërkoi karton të kuq, por për disa arsye Kukuyan e kurseu Nemanjan. Andjelkovic duhej të përjashtohej në pjesën e parë”, tha Rakhimov pas ndeshjes. Dhe trajneri i Khimki e largoi Andjelkovic në pjesën e parë.
Pjesa e parë u mbyll me shënimin e Dakut nga pika e bardhë, ky është goli i tij i shtatë në nëntë ndeshjet e fundit. Pavarësisht skandalit të Kampionatit Europian, sulmuesi mbetet në formë fenomenale”, shkruan media ruse. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/