“Duhet të kesh familje atdhetare të zgjedhësh Shqipërinë para Greqisë”! Rraklli e duartroket: Shembulli është te Mario Mitaj

A do të vijë Brajan Gruda te Shqipëria? Dhe nëse vjen, si duhet të pritet nga ana jonë? Altin Rraklli, legjenda e Kombëtares ishte i ftuar në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube. Përtej analizës së bërë për ndeshjet e Kombëtares në shtator, është kapur edhe tema e lojtarëve që janë të pasigurt sa i përket zgjedhjes së tyre të Kombëtares. (Linkun e emisionit të plot e gjeni më poshtë)

”Le të pranojmë realitetin, duam apo nuk duam ne, por unë e di shumë mirë se e kam ndjekur, e kam parë nga afër, e kam prekur, e di shumë mirë realitetin për çdo lëvizje që kanë bërë lojtarët tanë. Fakti është që të gjithë lojtarët shqiptarë që kanë një histori të ngjashme me Grudën dhe janë të ndërlidhur në historinë e jetës së tyre me Kombëtare të tipit Angli, Spanjë, Francë, Gjermani dhe kanë mundësi që të thirren nga këto Kombëtare, të jeni të sigurt se asnjëri nuk do të zgjedh Shqipërinë.

E jap me garancinë më të madhe këtë. Gjithmonë bëjnë atë lojën që shiko unë se kam ndarë akoma, në momentin që Grudas i vjen ftesa nga Gjermania, do iki te Gjermania ai, pikë. Se nëse ti mendon me zemër, që kur hyn në futbollin profesionist shpall deklaratën dhe thua: “Nuk pres asnjë Kombëtare tjetër, dua vetëm Shqipërinë”. E thua këtë deklaratë dhe mbaron filmi. Por nëse nuk e bën këtë dhe pret sa andej këtej, dalim te ajo loja që bëhet gjithmonë. Shumicën e rasteve kjo ka ndodh, jo shumicën, por në të gjitha rastet. Përvec rastit të Adnan Januzaj, ai ka thënë që nga fillimi që unë nuk luaj për Shqipërinë dhe ashtu ndodhi.

Edhe raportet me Greqinë nuk janë në favorin tonë. Sigurisht që nuk është njësoj si të jetë Gjermania apo Italia, por Greqia është pjesë e BE, e pjesës Europiane, ka më shumë histori se ne në kompeticionet madhore. Duhet të jesh familje shumë patriote dhe atdhetare si rasti i Mario Mitaj që të zgjedhësh Shqipërinë para Greqisë”, tha Rraklli. /Sport Ekspres/