Kristjan Asllani do të mbetet lojtari i Interit. Në ditën e sotme, mesfushori shqiptar ka rinovuar kontratën deri në 2028. Kjo tregon qartë besimin që kanë zikaltërit te aftësitë e lojtarit të Kombëtares. Gjithashtu në faqen zyrtare të Interit, kishte këtë vlerësim sa i përket Asllanit:
“Fryma e sakrificës dhe inteligjenca taktike. Kristjani, ndeshje pas ndeshje, ka skalitur një rol të çmuar për veten e tij në pushtimin e Scudetto-s së Nerazzurrëve. Shqiptari është vënë plotësisht në dispozicion të skuadrës, duke treguar të gjitha cilësitë e tij dhe duke gjetur gjithashtu gëzimin e pamasë të golit të tij të parë në fanellën e Nerazzurrëve, e cila erdhi në ndeshjen e fituar në San Siro kundër Genoa-s me rezultatin 2-1. Një profesionist ekzemplar dhe talent në rritje të vazhdueshme që do të jetë i Interit edhe për sezonet e tjera”, thuhet në shkrim. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/