VIDEO/ Rasti i çuditshëm në Kosovë, klubi pezullon portierin dhe i kërkon drejtësisë ta hetojë për trukim të ndeshjes

Një rast i rrallë ka ndodhur në Kosovë. Klubi Rilindja 1974 ka pezulluar portierin e tij, Armend Ruxhin. Shkak janë bërë dyshimet për trukimin e ndeshjes së luajtur kundër Drenicës, të vlefshme për javën e 4-t të kampionatit. Klubi ka publikuar në faqen zyrtare në “Facebook” videot e dy golave të pësuar, si dhe i bën thirrje organeve kompetente të hetojnë menjëherë portierin e tij.

“Pas ndeshjes së fundit të xhiros së IV-të ndërmjet KF Rilindja 1974 dhe KF Drenica, dhe pas analizimit të detajuar të video-incizimeve dhe rrjedhës së ndeshjes, KF Rilindja 1974 ka vendosur të suspendojë për një kohë të pacaktuar portierin tonë, Armend Ruxhi deri në zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura.

Ne kërkojmë nga organet kompetente të Federatës së Futbollit dhe drejtësisë që të hetojnë sa më shpejt këtë rast, pra angazhimin e portierit tonë gjatë kësaj ndeshje. Në videot e mëposhtme mund të shihni pamjet e golave të pranuara nga Armend Ruxhi”, ka komunikuar klubi Rilindja 1974./Halit Delibashi-Sport Ekspres/