Projekti po ecën sipas planit dhe fëmijët e përzgjedhur nga rrethet qëndrojnë dhe studiojnë në Tiranë nën kujdesin e Federatës së Futbollit. Qëllimi është edukimi dhe trajnimi i talenteve jo vetëm në kontekstin sportiv, por edhe në atë edukativ dhe personal.

Gjatë një prononcimi për fshf.org, tre nga lojtarët e “Elite Youth Development Academy” janë shprehur shumë të lumtur dhe të kënaqur me punën e bërë deri tani, duke shtuar se ky projekt do të bëjë ëndrrën e tyre realitet për t’u bërë futbollistë.

Besardo Ndoj – Jam Besardo Ndoj, portier te Vllaznia dhe jam pjesë e projektit “Elite Youth Development Academy”. Është shumë mirë dhe tani jemi mësuar. Trajnerët janë shumë të mirë dhe po kënaqemi në stërvitje. Janë shumë të sjellshëm dhe na ndihmojnë. Mua më pëlqen Etrit Berisha dhe dua të bëhem pjesë e Kombëtares. Shpresoj që ky projekt të më plotësojë ëndrrën.

Mateo Kapllani – Unë jam Mateo Kapllani dhe luaj me ekipin e AF Loris. Jam shumë i kënaqur për këtë projekt. Jemi shumë mirë dhe po kalojmë bukur. Ky projekt ka përmirësuar shumë fizikun tim. Unë dua të luaj me Bayern Munich dhe lojtari im i preferuar është Jamal Musiala. Nga Kombëtarja më pëlqen Kristjan Asllani dhe një ditë dua të luaj me Shqipërinë. Shpresoj që ky projekt të realizojë ëndrrën time që një ditë të bëhem futbollist.

Elez Elqeni – Përshëndetje unë jam Elez Elqeni. Jam lojtar i Partizanit, 13 vjeç dhe jam përzgjedhur te “Elite Youth Development Academy”. Ky projekt më pëlqen shumë, grupi është shumë i mirë, trajnerët po ashtu. Stërvitja shkon shumë mirë, kam përmirësuar teknikën dhe forcën. Besoj se për aq kohë sa është planifikuar ky program do të përmirësohemi shumë. Në të ardhmen e shikoj veten në vendin e Gjimshitit, sepse ai është lojtari im i preferuar në Kombëtare. E shoh veten pjesë të Kombëtares.