Kombëtarja është mbi të gjithë, mbi çdo lojtar dhe individ. Ky është parimi kryesor që duhet ta kenë parasysh të gjithë futbollistët që janë pjesë e Shqipërisë apo e aspirojnë këtë fanellë. Megjithatë janë disa raste kur Kombëtarja të ngre ose të fundos. Pra në momentet kur lojtarët nuk kalojnë kohë të mira në klubet e tyre, ftesa që i bën Kombëtarja, ndryshimi i ambientit dhe shkëlqimi me kuqezinjtë, i tjetërson këta futbollistë që të nisin “një jetë të re” në klubet e tyre.
Por ka edhe raste kur Kombëtarja të dëmton. Përshembull rasti i skandalit të Zhegrovës te Kosova, kur të gjitha mediat në Francë folën për sjelljen skandaloze të lojtarit pasi u publikua gjithçka ndodhi te dardanët në media. Ernest Muçi nuk është aktivizuar në Europian nga Silvinjo dhe njëkohësisht ishte jashtë listës së Shqipërisë për ndeshjet e shtatorit.
E gjitha kjo ka ndikuar për keq padyshim edhe në moralin e lojtarit. Por në momentin e duhur dhe në kohën e duhur, ftesa që Shqipëria dhe Silvinjo i ka bërë Ernest Muçit në këtë moment, i jep dorën e madhe këtij lojtari dhe pak frymëmarrje. Të shumta janë mediat turke që kanë kritikuar sot tifozët e Beshiktash që vërshëllyen Ernest Muçin duke thënë se lojtari që ata vërshëllyen, sot ka marrë ftesën e Kombëtares. Tashmë edhe Muçi do të kthehet ndryshe te Beshiktashi nga rasti i ngeljes jashtë listës së Shqipërisë, duke marrë një bonus të madh moral. Sigurisht që e gjitha kjo i përket rastësisë pasi ftesa e Silvinjos për Mucin ka mbërritur përpara ngjarjes së turpshme që ndodhi në stadiumin e Beshiktashit, por kjo histori të bën të ndihesh mirë për faktin se talentet tanë jo vetëm po japin kontribut te Shqipëria, por edhe po marrin nga Shqipëria. Vecanërisht rasti Muci, me mungesën e besimit dhe aktivizimit, këtij djali i kishim “borxh” diçka… /Sport Ekspres/