Ndërrimi i ajrit i ka bërë më mirë se të gjithë Nedim Bajramit nga transferimet e verës sa i përket lojtarëve të Kombëtares. Pas disa kohësh kontribut te Sasuolo, mesfushori shqiptar zgjodhi që t’i bashkohej Rangers.
Por nuk ishte vetëm rënia në Serinë B që solli largimin e Bajramit. Lojtari nuk dukej më i motivuar në Itali dhe mori valixhet për t’u nisur në Skoci. Paragjykimet ishin të shumta për shkak se Eros Grezda doli një histori e madhe dështimi te Rangers mes pritshmërive të larta në kohën e Gerrard, një trajner që rrallë gabonte në bastet e tij.
“Një tjetër lojtar shqiptar”, thanë tifozët e Rangers në fillim, të cilët nga ana tjetër kishin kuriozitet për të parë Bajramin pas rekordit të golit më të shpejtë në historinë e Europianit, të shënuar kundër Italisë.
Kështu nisi edhe historia e Nedimit që filloi të shkëlqente menjëherë me super paraqitjet e tij te Rangers. Madje edhe kur të gjithë të tjerët janë në mbrëmjen më të errët, Bajrami ka një paraqitje fantastike.
Duke parë se ky lojtar është kthyer në fjalë të parë dhe duket si protagonist në çdo aksion të Rangers, një skenë komike ka ndodhur në ndeshjen e djeshme të Europa League kundër Steauas.
Skocezët fituan në shifrat 4-0, ndërsa goli i parë u shënua nga uellsiani Lawrence. Menjëherë pas golit të shënuar në minutën e 10, një tifoz i Rangers filloi të festonte me shqiponjë duke e ditur se goli u shënua nga Nedim Bajrami. Por në fakt goli jo vetëm që nuk u shënua nga Nedimi, por lojtari shqiptar nuk ishte i përfshirë fare në atë aksion. /Sport Ekspres/