Sot janë luajtur dy takimet e para të Superiores. Egnatia dhe Dinamo ishte një prej ndeshjeve më interesante të kësaj jave dhe ka përfunduar, teksa ndeshja u mbyll në shifrat 1-1. Dy penallti vendosën historinë e 90 minutave. Në fillim ishte Egnatia që kaloi në avantazh, ku Lushkja u tregua shumë i saktë nga 11-metrat në minutën e 20.
Topi në njërin krahë dhe portieri në anën tjetër, kështu ekipi i rrogozhinasve gjeti golin e parë. Festa e tyre zgjati shumë pak pasi edhe Dinamo fitoi një 11-metërsh. Gjuajtja e Bregut nuk ishte më pak e saktë se e Lushkjas duke mos i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar. Ndërkohë në pjesën e dytë Aleksi do të merrte kartonin e dytë të verdhë në minutën e 53, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë. Por kjo skuadër arriti që të rezistojë ndaj Dinamos së Ilir Dajës, për të marrë një pikë nga kjo përballje.
Nga ana tjetër, Bylisi ka fituar thellë ndaj Teutës, 4-0. Goli i parë u shënua nga Abazaj në minutën e 4 me anë të penalltisë. Në minutën e 21, ishte Berko që gjeti edhe golin e dytë për ballshiotët. Uria ishte e madhe për ballshiotët, që lanë edhe disa hapësira mbrapa, ku në dy raste Teuta mund të ngushtonte diferencat me Kotobellin dhe Tomën. Pjesa e dytë i përkiste sërish Bylisit, teksa në minutën e 63, Ruci shënoi edhe golin e tretë me kokë. Për të përmbyllur statistikat mendoi Gjata nga pika e bardhë e penalltisë, 4-0. /Sport Ekspres/