Besojeni ose jo! Manchester City njoftoi Real Madridin se Topi i Artë u fitua nga Rodri dhe jo Vinicius Junior, kështu u anulua udhëtimi

Lojtari i Real Madridit ishte favoriti kryesor për të fituar Topin e Artë, teksa në javët e kaluara u përfol shumë për shpalljen e Vinicius si lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar. Me Mbretërit, ai arriti të fitonte Champions League dhe La Liga spanjolle, por në shokun dhe mosbesimin e të gjithëve te Reali, rrodhën informacione se ky çmim do t’i shkonte përfundimisht Rodrigos nga Manchester City.

Se sa i tronditi e gjithë kjo mbretërit, tregon më së miri fakti se ata e anuluan udhëtimin e tyre në Paris në minutën e fundit, ndaj askush nga Real Madrid nuk do të jetë në ceremoninë që po mbahet sonte në Paris. Edhe pse France Football tha se Fituesi nuk do të dihej deri në momentin e fundit, duket se informacioni ka rrjedhur në publik dhe shumë janë habitur kur u zbulua se kush e informoi realisht Realin për rezultatin.

Mediat spanjolle shkruajnë se Real Madridi zyrtarisht mësoi mëngjesin e sotëm se Vinicius nuk do ta marrë Topin e Artë, por në mënyrë të papritur. Sipas asah që shkruhet, kanë qenë drejtuesit e Manchester Cityt ata që kanë njoftuar Florentino Perezin se Rodri ishte fituesi. Është e qartë se City arriti disi të zbulonte rezultatin e votimit dhe ata mezi prisnin t’u tregonin mbretërve lajmet. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/