Shqipëria kërkon me patjetër një fitore kundër Ukrainës në Air Albania. Nëse shanset për vendin e parë janë minimale, të paktën mund të shpëtojmë nga rënia në Ligën C. Por nga ana tjetër nuk duhet harruar se të njëjtën dëshirë për të fituar do ta ketë edhe Ukraina.
Madje më shumë, pasi është një ekip me traditë dhe histori në arenën botërore dhe tani është shumë pranë rënies si vendi i fundit. Trajneri që ka drejtuar Ukrainën në shumë grupmosha, Volodymyr Tsytkin, ka bërë një deklaratë që meriton vëmendje.
Ai ka treguar saktësisht se imazhi i Ukrainës është në rrezik në Shqipëri dhe kjo të bën të mendosh që në fushë të njëjtin mobilizim si Shqipëria, do ta ketë edhe kundërshtari. “Në ndeshjen Ukrainë-Shqipëri, më pëlqyen shumë shqiptarët me lojën e tyre cilësore, lojtarët të kualifikuar dhe me shumë dinamik. Prandaj do të jetë interesante të shoh ndeshjen sot, sesi do të reagojë trajneri ynë Rebrov pas atij dështimi, si do ta bëjë Shqipërinë që të gaboj?
Vendasit janë në pozicion më të mirë se ne, do të kënaqen edhe me një barazim për të shmangur rënien në Ligën C. Prandaj Ukraina duhet të rrezikojë dhe të tregojë veten. Për mua shanset janë 50 me 50, Rebrov e ka artilerinë për të fituar, por duhet të them se imazhi i Ukrainës është në rrezik në Shqipëri”, tha trajneri dhe ish-portieri i njohur Tsytkin. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/