Derbi i Milanos tashmë ka kaluar nga fusha e lojës në rang drejtuesish. Së fundmi nuk kanë munguar thumbimet mes palëve. Ishte fillimisht Gerri Kardinale, pronari i Milanit, ai që ironizoi zikaltrit. Ai u shpreh se klubi duhet të tregohet inteligjent e jo të përsërisë gabimin e Interit, që fitoi titullin kampion dhe më pas falimentoi.
Deklarata e tij ka marrë edhe përgjigjen e Marotës përmes mikrofonit të “Sky Sports”. Zyrtari i Interit i kujtoi Kardinales faktin se klubi jo vetëm që nuk ka falimentuar, por ka ulur borxhin nga 246 milionë në 46 milionë. Madje thekson faktin se gjatë kësaj periudhe ka arritur të fitojë trofe dhe të marrë yllin e dytë në fanellë, diçka që i mungon Milanit.
“Fjalët e Kardinales? Nuk doja që të flisja rreth kësaj, por meqenëse me pyetët, është detyra ime të përgjigjem. Deklarata është e pavend, e papërshtatshme dhe mosrespektuese. Kardinale i konfuzoi pak gjërat. Është e vështirë që në të shkuarën aksionerët kryesoë kanë kaluar periudha të vështira ekonomike. Ne e respektojmë ‘fair play’-n financiar me përpikmëri. Kaluam nga një humbje prej 246 milionë eurosh, në një humbje pej 46 milionë eurosh. Dhe ndërkohë kemi fituar kampionatin, Superkupën dhe fituam yllin e dytë. Jemi ekipi i vetëm në Milano që e ka yllin e dytë”, ka deklaruar Bepe Marota./Sport Ekspres/