“Është i lumtur si fëmijët kur hapin dhuratat e Krishtlindjeve”! Në Itali shkruajnë për Kristjan Asllanin: Simbolizon pasionin dhe përulësinë

Kristjan Asllani vazhdon që të marrë pak minuta te Interi. Mesfushori shqiptar nuk po merr besimin e vazhdueshëm të Inzaghit, teksa edhe pas një super ndeshje dhe goli si ai kundër Udinezes në Kupë, Asllani mbetet sërish në stol dhe nuk merr më shumë minuta. Kjo kryesisht pasi Inzaghi nuk zgjedh që të eksperimentojë dhe nuk lëshon aspak pe në formacion për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjëve, kërkon të fitojë gjithçka pa rrezikuar asgjë. Duket se për Asllanin do të ketë sërish minuta të pakta për sa kohë nuk largohet ai apo trajneri nga Interi, megjithëse ky i fundit ka më pak gjasa.

Ndërkohë media pranë Inter, “Interista.it”, e ka përshkruar kështu vitin e Asllanit. “Nuk e harroni kurrë golin tuaj të parë si zikaltër. Kristjan Asllani është një metaforë e lumturisë, si ajo e fëmijëve që shpalosin dhuratat në Krishtlindje. Gëzohet dhe vrapon, nuk e mban dot veten. 2024-ta e tij te Interi u shënua nga goli i mrekullueshëm ndaj Genoa-s, brenda një Meazza të zjarrtë. Gëzimi, adrenalina dhe përulësia janë karakteristikat e futbollistit të ri shqiptar që e gjeti veten si hija e Hakan Calhanoglu në sallën e kontrollit. Një lojtar i heshtur që demonstron në fushë punën e bërë gjatë javës”, shkruhet në median italiane. /Sport Ekspres/