Ekskluzive/ Evertoni falsifikon dëmtimin e Brojës? Lojë e pisët në Angli, lënë në baltë shqiptarin
Një situatë shumë e çuditshme është ajo që po ndodh në Angli me Armando Brojën. Më poshtë do të bëjmë një analizë të situatës, por në përfundim arrihet se karriera e këtij lojtari është seriozisht në rrezik për sa kohë vazhdon në Premier League, zgjidhja e vetme duket ndërrimi i kampionatit.
Por për çfarë flitet? Pasi u dëmtua duke goditur tokën, Armando Broja u rikthye sërish në fushë kundër Peterburgh në Kupë, atje ku pak minuta më vonë, ndieu shqetësime të mëdha dhe la fushën me barelë dhe maskë oksigjeni. Menjëherë pas asaj ndeshje, trajneri i përkohshëm i Everton u shpreh se Broja nuk kishte shkuar në spital dhe se ky ishte një sinjal i mirë se dëmtimi nuk ishte edhe aq i rëndë.
E teksa të gjithë mendonin se sulmuesi kishte këputur sërish ligamentin, specialistët e një prej faqeve më të njohura në Tëitter për dëmtimet e lojtarëve, e goditi në kokë saktë diagnozën e dëmtimit vetëm në saj të pamjeve të ndeshjes me Peterburg.
Sipas saj, Broja kishte dëmtuar kyçin e këmbës dhe ky dëmtim do të kërkonte 2-6 javë rikuperim nëse nuk do të kishte ndërhyrje kirurgjikale dhe në versionin më të keq, 8-12 javë rikuperim, nëse do të kishte ndërhyrje kirurgjikale.
Nga ana tjetër, trajneri i ri i Everton, Moyes, doli në konferencë për shtyp dhe u shpreh: “Ka ndjesi të përzëriera. Në fillim thamë se nuk ishte një dëmtim serioz. Do ta shohim prapë me një skanim të dytë, uroj që ta kemi sa më shpejt të gatshëm”.
Ndërkohë në mbrëmjen e djeshme, gazetari i njohur në Britani dhe që gjithmonë ka pasur ekskluzivet e sakta rreth Armando Brojës, me lidhje afër futbollistit, u shpreh se Broja nuk kishte nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale dhe se trajneri i Everton, Moyes, do të konfirmonte lajmin pozitiv pas ndeshjes me Aston Villa.
Në fakt, Evertoni atje humbi në shifrat 0-1 dhe Moyes i habiti të gjithë me deklaratën: “Rikuperimi i Brojës zgjat 10-12 javë, ekziston mundësia për ta rikthyer prapë te Chelsea”. Atëherë, për çfarë flitet? Ka shumë gjasa që Armando Broja të rikuperohet shumë më shpejtë sesa koha e përcaktuar nga Moyes dhe se e gjitha kjo, të jetë një “lojë e pisët” e Everton për ta mbyllur këtu bashkëpunimin me Brojën.
Moyes kërkon një lojtar që të jetë pjesë e Everton për vazhdimësi dhe nëse flitet për huazime, vetëm lojtarë që janë të aftë të ndryshojnë menjëherë situatën e këtij klubi. Aktualisht Everton rrezikon rënien nga Premier League dhe në të gjitha ndeshjet dhe në 6 ndeshjet e fundit në Premier League, ka shënuar vetëm 1 gol.
Pra trajneri i Everton e ka zmadhuar situatën e dëmtimit të Brojës në mënyrë që ta mbyllin kapitullin me shqiptarin pasi nuk ofron garanci me dëmtimet e shpeshta dhe mbi të gjitha, situata te Evertoni duhet të zgjidhet menjëherë, nuk pret për më gjatë. Gjithashtu teza që e mbështet këtë mendim është se në mediat britanike në ditën e sotme është publikuar lajmi se dikush mes Armando Brojës dhe Harrison do t’i mbyllet huazimi që në janar. Nëse Broja është dëmtuar, Harrison luajti edhe në ndeshjen e djeshme të Evertonit, por po zhgënjen dhe nuk po arrin dot që të shënojë, po humb raste flagrante ndeshje pas ndeshje.
Kjo tregon saktësisht mendësinë e trajnerit të Everton, Moyes, që kërkon që një lojtar i tiji të jetë pjesë e Everton ose nëse do të jetë huazim, të ketë aftësinë për të ndryshuar situatën, në të kundërt, duhet të rikthehet në klubin e tij. Dhe nuk do të ishte hera e parë që mjekët në Angli do të falsifikonin një dëmtim. Armando Broja u dëmtua në verë me Chelsea, por mjekët e Chelsea nuk i thanë asnjëherë Brojës që ishte dëmtuar. Madje sulmuesi shqiptar luajti dy miqësore verore i dëmtuar dhe në momentin kur shkojë te Ipsëich, mjekët atje zbuluan problemin që kishte Broja dhe që e la për 5 muaj jashtë fushës së blertë. Sigurisht, shqiptari duhet të ndryshojë shumë në fizikun e tij, përgatitjen dhe menaxhimin e vetes, por qartësisht Evertoni e ka lënë në baltë në këtë moment dhe Broja duhet të kuptojë se Anglia nuk është më vendi i përshtatshëm për të. /Sport Ekspres/