Video është bërë virale në Turqi dhe po duartrokitet nga mediat turke, Rei Manaj merr 2 fëmijë turq në makinë dhe i bën xhiro në qytet

Rei Manaj mund të quhet padyshim një prej atyre lojtarëve me potencial të madh, i cili nuk ia ka marrë ende maksimumin vetes. I rritur tek moshat e Interit dhe më pas do të bënte debutimin në ekipin e parë në kohën e Mancinit, në një moshë fare të vogël, Manaj ka bërë disa gabime të cilat i ka pranuar edhe vetë më pas duke ia faturuar moshës.

Por pavarësisht se ka qenë disa herë në buzë të greminës sa i përket karrierës së tij, duke rrezikuar gjithçka, Manaj është ringritur, madje duke shënuar gola të shumtë në Turqi. Kjo tregon saktësisht forcën e madhe që mbart në vete ky sulmues dhe e sigurt është se ka ende shumë potencial për të shfaqur në të ardhmen.

Te Sivaspor, Manaj është kthyer në “Zot” prej kohësh, në sezonin e shkuar bëri një çmenduri duke i kthyer goditjet e dënimit si penallti. Por së fundmi Rei Manaj ka bërë një veprim që është duartrokitur shumë në Turqi dhe është video e momentit, po shpërndahet gjerësisht nga të gjitha mediat sportive dhe njëkohësisht edhe nga tifozët.

Por për çfarë flitet? Dy fëmijë turq pasi e kanë parë Rei Manajn me makinë në qytet, e kanë përshëndetur duke kërkuar vëmendjen e sulmuesit shqiptar. Nëse në rastet e tjera lojtarët mjaftohen vetëm me një kthim përshëndetje në rastin më të mirë, Manaj ka vepruar shumë ndryshe.

Sulmuesi shqiptar i ka futur në makinë të dy fëmijët dhe ka bërë një xhiro në qytet me ta, ndërsa fëmijët nga ana tjetër ishin shumë të gëzuar dhe kanë bërë fotografi me shqiptarin, duke mos iu besuar syve për momentin në të cilin ndodheshin. E gjitha kjo është komentuar shumë pozitivisht në Turqi teksa media të ndryshme theksojnë se një sjellje të tillë nuk mund ta bënte asnjë futbollist tjetër përveç Rei Manajt. /Sport Ekspres/