Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka dorëzuar në kuvend një projektligj, përmes të cilit kërkon të organizojë aktivitete sportive në shkolla e universitete. Kundër këtij akti ka reaguar presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar. Në një intervistë për “Report TV”-në, Besnik Veliu e konsideron këtë ligj absurd. Ai thekson se KOKSH-i po kapërcen kompetencat që i lejon statuti i vetë dhe po kërkon të marrë rolin e një federate. Veliu është shprehur se e ka adresuar shqetësimin e tij në institucionet përkatëse të qeverisë shqiptare dhe shpreson që të marrë një zgjidhje prej këtyre të fundit.
“Gjithçka është bërë jashtë dijenisë së sportit universitar dhe sportit shkollor. Iniciativa që është marrë për të iniciuar këtë ligj, është marrë jashtë aktorëve kryesorë, Federata e Sportit Universitar dhe Shkollor. Që këtu fillon zanafilla e një ligji të parregullt, i jashtëligjshëm dhe pse jo absurd e abuziv gjithashtu. Ne kemi bërë përpjekjet tona me insititucionet përkatës, Ministrinë e Arsimit dhe Kuvendin e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë etj.
Kemi shpresuar që të paktën këto institucione serioze dhe të rëndësishme që drejtojnë jetën politike në vend të mund ta ndalin këtë ligj abuziv. Nuk besoj që ka një vend të botës, nëse ka unë tërhiqem, që të vërë KOKSH-in në pozitat e një federate sportive. Në të gjitha drejtimet, konsiderohet një shkelje e statutit të vetë, një shkëlje e nenit 27/9 të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në këtë rast, KOKSH-i po merr rolin e federatave sportive. Pra, po tjetërson edhe statutin e vetë”, ka deklaruar Besnik Veliu./Sport Ekspres/