Partizani ka zyrtarizuar mbrëmjen e sotme përmes faqes zyrtare në “Facebook” afrimin më të ri në këtë merkato janari. Besing Eleke është veshur i kuq. Sulmuesi nigerian ka luajtur më herët me Goricën në Kroaci, Olimijan e Ljubjanës në Slloveni, Lucernin në Zvicër, Bershotin në Belgjikë dhe Gençlerbirliginë në Turqi. Ndërkohë në dy vitet e fundit ka provuar dy përvoja në kontinentin aziatik, më saktësisht në Japoni dhe në Taxhikistan.
“Partizani me kënaqësi zyrtarizon afrimin e Blessing Eleke. Klubi ka arritur marrëveshjen me sulmuesin nigerian, i cili bashkohet me të kuqtë pas eksperiencave te disa prej ekipeve mjaft me emër në arenat europiane. Qendërsulmuesi 28 vjeçar konsiderohet një tjetër përforcim cilësor në merkaton e janarit dhe do të jetë një tjetër vlerë e shtuar e repartit ofensiv të ekipit”, ka njoftuar klubi Partizani./Sport Ekspres/