Shpeshherë lojtarët dhe trajnerët konsiderohen si disa “robotë”, të cilëve u kërkohen gjithmonë rezultatet më të mira, deri diku edhe me të drejtë për faktin se paguhen me shifra të çmendura. Megjithatë harrojmë se çdokush nga ne ka edhe një anë tjetër njerëzore, dramat që e shoqërojnë çdo njëri në jetë dhe që ndikojnë jo pak në vazhdimësinë tonë. Kështu edhe Thierry Henry ka shpjeguar arsyen e krizës së Manchester City. Legjenda e futbollit ka thënë se ndarja e Guardiolës nga gruaja e tij, ka bërë që trajneri të kalojë një dramë të vërtetë psikologjike dhe nuk është i qetë për të studiuar dhe menduar normalisht për futbollin.
“Më vjen keq për atë që po ndodh me Manchester City dhe Pep Guardiolën. Nuk është e lehtë të përballesh me atë që duhet të merret jashtë futbollit. E kam kaluar edhe unë diçka të tillë, nuk është fare e lehtë kur nuk je mirë mendërisht. Mund ta shohësh që asgjë nuk është e zakonshme, duhet ta kuptojmë”, tha Henry. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/