Armando Broja ka qenë një temë diskutimi kohët e fundit. Në studio televizive kanë nisur debatet nëse sulmuesi shqiptar do të jetë pjesë e Shqipërisë në Euro 2024, duke qenë se vetë lojtari nuk ka luajtur në asnjë takim në kualifikueset e Kampionatit Europian. I pyetur nga Hygerta Sako në lidhje me këtë çështje gjatë një interviste për “RTSH”-në, Armand Duka është shprehur qartë se Shqipëria nuk ka luksin të shpërdorojë një talent si Armando Broja.
“Broja është një talent që nuk na vjen shpesh në Shqipëri. Ne nuk jemi vendi i prodhimit maksimal të talenteve dhe që kemi luksin të shpërdorojmë një të tillë. Është vërtetë një talent i madh. Moskontributi i tij në këtë edicion nuk ka qenë për faj të tij, por fatkeqësisht për arsye të dëmtimit. Kjo ia vështirëson punën Brojës edhe në të ardhmen, sepse ne tashmë do të shkojmë në Europian. E para, Broja ka sfidën me veten e vetë, me shëndetin, ta kalojë dhe të jetë sa më mirë. E dyta ka sfidën që duhet të bashkohet dhe të jetë organikë me një skuadër që tashmë është vërtetë një grup shumë i mirë.
Unë kam besim që talent, një profesionist e gjen mënyrën se si të gërshetohet mirë me skuadrën. Por e ripërsëris, ne nuk kemi luksin të shpërdorojmë një talent si Armando Broja. Ne kemi nevojë për të, ai ka nevojë për ne dhe si skuadër bëjmë më mirë”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/