ZYRTARE/ Trajneri i Partizanit shkarkohet pak orë pas humbjes me Bylisin, klubi: Rezultate të papranueshme dhe mugesë karakteri

Partizani ka njoftuar shkarkimin nga detyra të Aleksandar Veselinoviçit. Humbja e sotme me përmbysje kundër Bylisit nuk është kapërdirë lehtë nga drejtuesit e klubit kryeqytetas. Përmes një komunikate në faqen zyrtare në “Facebook”, klubi ka njoftuar se trajneri serb nuk do të jetë më në krye të pankinës. Në njoftimin e bërë për opinionin publik, Partizani bën me dije se arsyeja e këtij vendimi është mungesa e vazhdueshme e rezultateve, si dhe mungesa e lojës dhe karakteri.

“Klubi i Futbollit Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Aleksandar Veselinoviç për shkak të rezultateve të dobëta. Vendimi i marrë pas humbjes së sotme, bazohet tek rezultatet e papranueshme të kohëve të fundit, dhe mbi të gjitha në mungesën e lojës dhe karakterit që duket të shprehi ekipi i Partizanit në fushën e blertë.

Trajnerit Veselinoviç i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Duke filluar nga dita e nesërme, ekipi do të nisë përgatitjet me përqëndrim maksimal për të luftuar deri në fund si në Kupë edhe në Kampionat dhe për ta kthyer Partizanin aty ku i takon”, ka njoftuar klubi Partizani./Sport Ekspres/