PSG-ja dominon e dominon Liverpulin si të ishte një ekip i vogël, por anglezët marrin fitoren me një goditje në portë

Mbrëmja e sotme është mbyllur me ndjenjën e zhgënjimit për PSG-në. Skuadra franceze ka dominuar lojën përballë Liverpulit, por pa mundur të shmangin dot humbjen. Statistikat folën të gjitha për parisienët. Plot 72% mbajtje e topit, 27 goditje, prej të cilave 10 ishin në portë dhe një goli i anulluar nga VAR-i nuk mjaftuan për të dalë të buzëqeshur nga stadiumi.

Liverpuli arriti të triumfonte me rezultatin minimal 0-1, falë golit të shënuar nga Elioti. Ky i fundit hyri nga stoli në minutat e fundit të takimit dhe në të 87-n arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Vetëm 2 goditje u realizuan nga skuadra angleze, por vetëm njëra ishte në drejtim të portës. Një humbje e dhimbshme për lojtarët e PSG-së, të cilët do të kenë mundësinë për “hakmarrje” një javë më vonë në “Enfild”./Sport Ekspres/