Shqipëria arriti një sukses historik në kualifikueset për Kampionatin Europian, teksa përfundoi e para në grup, si asnjëherë më parë në historinë e saj. Sigurisht që më meritë e madhe për këtë arritje shkon për Silvinjon. Trajneri brazilian ishte i pranishëm në studion e emisonit “Opinion” në “TV Klan” për të komentuar rrugëtimin e tij fantastik me Kombëtaren shqiptare. Silvinjo ka dhënë përgjigjet e tij për Armando Brojën, ndeshjen më të vështirë në këto kualifikuese dhe mbi objektivin që tashmë kanë në Euro 2024.
“Mos harroni që është hera e dytë që shkojmë në Europian. Imagjinoni kokën e lojtarit që mendon: ‘Nëse fitojmë ose barazojmë nesër do të jemi në Europian për herë të dytë’. Unë kam fjetur vetëm 3 orë gjumë. Grupi është ky, gati 90%. Ai (Broja) dhe shumë të tjerë, Kombëtarja është e hapur për ta. Ai për këtë moment është lojtar i veçantë, sepse vjen nga një dëmtim i vështirë. Duhet të ketë dy-tre muaj të qetë që të rifutet në lojë. Është një lojtar klasi. Kam folur me të, ai është i gatshëm të futet në skuadër.
Asani nuk ishte një surprizë për mua. Pasi e pashë në stërvitjen e parë dhe ndeshjen e parë me Poloninë, nuk ishte surprizë. Ai është shumë i fortë. Ndeshja me Republikën Çeke në transfertë ishte më e vështira. Ata janë të fortë, kanë një skuadër fizike. Ata bënë një gol dhe pastaj barazimi me ta ishte shumë i vështirë.
Golat? Është besimi i lojtarëve. Cilësitë e lojtarëve janë aty, thjesht u duhet besim. Kualifikimin e besova pas fitores ndaj Republikës Çeke. Duhet të rritemi, të përmirësohemi, por gjithmonë me këmbë në tokë. Duhet të bëjmë një rrugëtim të rëndësishëm që të mësojmë të luajmë në Europian, në Botëror. Edhe të kualifikoheshim ishte një përgjegjësi e madhe, por do të përpiqemi të bëjmë diçka më të mirë atje (në Gjermani). Është një nder që ne shkojmë atje. I respektojmë të gjithë, por nuk kemi frikë. Për mua është nder që jam trajner i Kombëtares shqiptare”, ka deklaruar Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/