VIDEO/ Shpërthen rrjeti për skemën e Silvinjos! E bëri sot PSG kundër Liverpulit, shihet rrallë në futboll

PSG ka arritur që të fitojë kundër Liverpulit dhe të kalojë më tej në Champions League. Ekipi i drejtuar nga Luis Enrique, ia ka dalë në shifrat 0-1 në Anfield Road, ndërsa edhe ndeshja e parë, ishte mbyllur me po të njëjtin rezultat, por në favor të anglezëve. Kështu ndeshja shkoi në kohën shtesë, atje nuk pati asnjë gol të shënuar, përtej rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat. Në fund ishte PSG që arriti të fitojë falë ruletës ruse, me Donarumën që u kthye në heroin e francezëve.

Por ajo që është vënë re, është padyshim një e veçantë në mënyrën sesi trajneri i PSG, Luis Enrique, u qas gjatë ndeshjes. Ky trajneri ka marrë një vëmendje të madhe pasi e ka dërguar PSG në një nivel tjetër, në një nivel që nuk ishte as në kohën e Mbappe. Për çfarë flitet? Siç dihet, në momentin kur një skuadër e nis topin e parë nga mesfusha, menjëherë fillon dëshira për të qarkulluar topin dhe për të kërcënuar skuadrën kundërshtare.

Disa ekipe tentojnë që me një pasim mbrapa dhe një top të gjatë, të gjejnë të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare, pasi shumë lojtarë vrapojnë për të sulmuar hapësirat boshe. Ndërkohë skuadra të tjera kërkojnë që të ndërtojnë aksionin gradualisht duke filluar shkëmbimet e pasimeve në mbrojtje.

Por ajo që bëri sot PSG kundër Liverpulit ishte shumë më ndryshe. Në fakt, jo vetëm sot, PSG bëri të njëjtën skemë edhe në ndeshjen e parë kundër Liverpulit, në shtëpi. Kur sapo nisi pjesa e dytë në ndeshjen e parë, PSG-Liverpul dhe topi duhej të nisej në mesfushë nga PSG, ata menjëherë goditën qëllimisht topin për ta nxjerrë në rvënie anësor në favor të Liverpulit, por pranë goditjes së këndit.

E gjitha kjo ishte taktikë e Luis Enrique dhe jo një gabim në pasim. Kjo pasi në këtë mënyrë, PSG shkonte në presionin e lartë dhe pushton tërësisht territorin e Liverpulit. Kështu edhe vetë lojtarët e Liverpulit janë çoroditur për të bërë një tjetër nisje të ndeshjes nga ajo që ishin përgatitur pasi e gjejnë veten në presion. Të njëjtën lëvizje Luis Enrique e ka bërë edhe sot në shtesën e akorduar pasi ndeshja përfundoi 0-1.

Sapo PSG e nisi topin, lojtari i PSG e godet qëllimisht në anësore për t’ia dhuruar Liverpul topin dhe të gjithë lojtarët e PSG shkojnë në zonën e Liverpul për t’i vendosur në presion të lartë, duke luajtur me anën e tyre psikologjike. Një lëvizje të tillë e kishte bërë më parë trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, te Corinthias. Tifozë të shumtë brazilianë të Corinthias e kanë shpërndarë këtë moment nga Liverpul-PSG duke kujtuar sesi ish-trajneri i tyre kishte bërë të njëjtën lëvizje të pazakontë dhe atyre i ishte dukur si një ide tërësisht idiote. Shpeshherë detajet janë ato që bëjnë diferencë dhe ky detaj, nuk shihet shpesh në futboll. /Sport Ekspres/