“Tifozët do të donin që të mos mbaronte kurrë”! Trajneri i Liverpul flet pas eliminimit: Kjo ishte ndeshja më e çmendur e karrierës time

Liverpuli ka humbur ndaj PSG në ruletën ruse dhe është eliminuar nga Champions League. Pavarësisht avantazhit 0-1 në ndeshjen e parë, anglezët humbën në shtëpi dhe PSG u tregua më e saktë nga 11-metrat. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Liverpulit, Arne Slot, e ka komentuar ritmin e kësaj ndeshje si më të çmendurën që ka pasur ndonjëherë në gjithë karrierën e tij si trajner.

“Ishte ndeshja më e bukur e futbollit që unë kam qenë ndonjëherë i përfshirë. Nuk e kam historinë e Liverpulit si trajner, por ishin në fushë dy ekipe me kualitete të shkëlqyera, të pabesueshme. Intensiteti i ndeshjes në 45 minutat e para ishte thjesht i pabesueshëm. Më kujtohen dhe ato 25 minutat e para kundër Man City në Anfield, por kjo ishte…e pabesueshme.

Kur shikoj lart tabelën e rezultatit, nuk e meritonim të humbnim sot. Pastaj kur i shikon të dyja ndeshjet, ishte e drejtë që duhej koha shtesë. PSG ishte pak më mirë se ne në shtesë. Ka mënyra e mënyra për t’u eliminuar, por të eleminohesh në këtë mënyrë si dolëm ne, ndaj një prej ekipeve më të mira në Europë, besoj se çdo tifoz do të donte që kjo ndeshje të mos ndalonte kurrë. Ishim pak të pafat në short që gjetëm PSG, një prej ekipeve më të mira në Europë, por duhet të pranojmë fatin dhe të vazhdojmë”, tha Slot. /Sport Ekspres/