Shqipëria ka arritur që të fitojë në shifrat 3-0 kundër Andorrës, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Një fitore që na jep moral para takimit që do të kemi me Serbinë, ndërsa për momentin na pozicionon në vendin e dytë në renditje. Më poshtë gjeni vlerësimet për disa prej lojtarëve të Shqipërisë, duke përjashtuar pjesën mbrojtëse, e cila sigurisht nuk kishte shumë punë për të bërë sot.
Julian Shehu (7): “Sot kemi fituar jo vetëm ndaj Andorrës, por ndoshta edhe një lojtar të ri. Julian Shehu duket si një Klaus Gjasula në mesfushë, Klausi u tërhoq nga Kombëtarja para pak kohësh, por Shehu riktheu hijen dhe prezencën e tij në mesfushë. Fizikisht, Shehu ishte po njësoj si mesfushori që fitoi shpejt zemrat tona pasi vinte nga Bundesliga. Një tjetër e përbashkët, si Klausi ashtu edhe Juliani kanë ardhur shumë vonë në Kombëtare. Pasime të thjeshta, të sakta, i shpejtë në pasime, dhe me karakteristikat e një mesfushori që nuk e kishim pasur këto kohë te Kombëtarja. Sigurisht që nuk është Andorra për të vlerësuar Shehun, por si ndeshje e parë, të jep shumë shpresë”.
Kristjan Asllani (6.5): ”Duhet të bëj diçka më shumë. Falë krosimit të tij erdhi goli i parë, por kjo nuk mjafton. Në shumë momente kur përpiqeshim të krijonim aksione, e ngadalësonte lojën dhe vendoste pak në punë fantazinë për të krijuar korridore të shkurtra dhe që t’i kap në befasi kundërshtarët. E vetmja mënyrë sesi tentohej ishin vertikalizimet e gjata dhe në një moment, një prej tyre rezultoi perfektë për Rei Manajn. Por pas asaj ndeshje zhgënjyese në Angli, pritej pak më shumë nga Asllani kundër Andorrës, për të treguar se mund të përdor edhe fantazinë e tij. Pasi ndeshja shkoi 2-0, Asllani e uli shumë tempin, por është padyshim vlerë e shtuar për Shqipërinë. Duhet të kuptojë vetëm se pritshmëritë janë shumë të larta për të”.
Qazim Laçi (6.5): “Ndeshje e mirë edhe për Qazim Laçin. 49 pasime të sakta nga 51 pasime të dhëna dhe kërkon gjithmonë që të pasojë sa më shpejtë, të mos e uli tempin, pasi e ndien shumë peshën e Kombëtares dhe të fanellës që mban veshur. Duhet të punojë pak më shumë me trajtimin e topit, por luan ndaj Andorrës si të ishte Anglia përpara, nuk e ul tempin nga nivelin i kundërshtarit”.
Armando Broja (7.5): “Ylli i ndeshjes. Fiton faullin nga vjen goli i parë i Shqipërisë dhe në golin e dytë, e nxjerr Manajn me portën bosh. Ishte një Armando Broja-Andorrë 2-0, jo një Shqipëri-Andorrë 2-0. Pavarësisht se luante në krahun e djathtë, një rol jo i zakonshëm për të dhe pavarësisht se Andorra ishte e gjitha e mbyllur mbrapa, Broja hyri me shumë energji në ndeshje dhe ishte i vetmi që zhbalancoi gjithë kundërshtarët. Nëse nuk do të kishim një lojtar të tillë sot në fushë, do ta kishim të vështirë të shënonim 1 gol dhe jo për të folur për 3. Air Albania u ngrit në këmbë kur u përmend emri i tij dhe Broja nuk zhgënjeu. Ra fizikisht në pjesën e dytë dhe Broja nisi të kursente veten pas dëmtimeve të shumta, por detyrën e tij e bëri, i dha Shqipërisë 3 pikët”.
Arbër Hoxha (6.5): “Pritej diçka më shumë nga Arbër Hoxha. Ndoshta edhe për shkakun se Aliji duhet ta shërbente më mirë që Hoxha të mos vinte shumë mbrapa për të marrë topin, pasi gjendej i rrethuar nga 2-3 lojtarë kundërshtar. Është një lojtar që shkëlqen më shumë kundër ekipeve të mëdha, atje ku i lihet mbulimet tek për tek dhe e ka më të vështirë të dallohet kur kundërshtari mbrohet me të gjitha forcat. Ndeshja e mirë, por mund të bënte diçka më shumë”.
Rei Manaj (7): “Super Rei Manaj. Më në fund i largohen makthet e golit me Kombëtaren, pavarësisht se rivali ishte vetëm Andorra. E shënon shumë lehtë dhe thjeshtë golin e parë, duke treguar nuhatjen e madhe me portën. Gjithashtu edhe te goli i dytë vepron po njësoj, është aty për ta dërguar topin në rrjetë. Ndeshje e mirë e Rei Manajt që shënon 2 herë kundër Andorrës”.