Paraqitjet e legjionarëve/ Shehu shënon sërish dhe shpallet lojtari i ndeshjes, Muçi & Seferi realizojnë në Kupën e Turqisë

Legjionarët shqiptarë kanë regjistruar paraqitje pozitive me klubet e tyre në arenën ndërkombëtare.

Juljan Shehu vazhdon të jetë protagonist me Widzew Lodz. Pas debutimit me Kombëtaren, mesfushori kuqezi ka gjetur rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e fundit, ndërsa këtë fundjavë shënoi ndaj Lechia Gdansk në fitoren 2-0 të Widzew Lodz. Përveç golit, Shehu zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe u shpall lojtari i ndeshjes, me notën 7.9 nga sajti i specializuar për statistika, Sofascore.

Ernest Muçi u rikthye te goli në Turqi me fanellën e Besiktas. Sulmuesi kuqezi realizoi një gol të bukur në çerekfinalen e Kupës së Turqisë ndaj Goztepe, por pavarësisht golit të tij, Besiktas u eliminua pas humbjes 1-3.

Një tjetër paraqitje pozitive në çerekfinalet e Kupës së Turqisë regjistroi edhe Taulant Seferi me Bodrumspor. Ai shënoi në minutën e 15-të dhe asistoi për golin e dytë në të 20-ën ndaj Trabzonspor. Megjithatë, në fund Bodrumspor u eliminua pasi ndeshja përfundoi 3-2 për Trabzonspor pas kohës shtesë.

Rrugën e rrjetës këtë fundjavë e gjeti edhe Jon Mersinaj me skuadrën e tij në Kroaci, Osijek. Një gol historik për mbrojtësin kuqezi, i cili shënoi për herë të parë pas 123 ndeshjesh në kampionatin kroat me Lokomotiva Zagreb dhe Osijek.

Nga lojtarët e Kombëtares, u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre: Elhan Kastrati, Simon Simoni, Marash Kumbulla, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Enea Mihaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Arbnor Muja, Jasir Asani, Myrto Uzuni, Rey Manaj dhe Mirlind Daku.

Ndërsa si zëvendësues dhanë kontributin e tyre: Medon Berisha, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Anis Mehmeti, Arbër Hoxha dhe Armando Broja.