U tha se do të luhet në Elbasan Arena, UEFA zyrtarizon se ku zhvillohet Shqipëri-Serbi në 7 qershor

Gjithmonë e më shumë po afrojnë emocionet e derbit të madh të Ballkanit, Shqipëri-Serbi. Në anën sportive, kështu konsiderohet kjo përballje e cila do të tërheq një vëmendje të madhe edhe të mediave botërore, veçanërisht për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e Beogradit. Ndërkohë nga ndeshja e kthimit nuk kemi shumë kujtime të mira në Elbasan Arena pasi humbëm nga serbët në shifrat 0-2.

Këtë herë historia mund të flas tërësisht në favorin tonë pasi Serbia nuk do ta organizojë ndeshjen kundër nesh në të njëjtin stadium, në Beograd. Ndeshja do të spostohet në stadiumin ku Serbia u përball me Zvicrën për arsye sigurie, atje ku situata është shumë më e qetë edhe për lojtarët tanë, me presionin që është fare i vogël për ta, ndryshe nga ai i Beogradit.

Në ditët e fundit, në rrjetet sociale ishte folur shumë sa i përket një lëvizje të ngjashme që do të bënte edhe Shqipëria. Pra ishin disa media që kishin folur se Shqipëria dhe Serbia do të luanin në Elbasan Arena në mbrëmjen e 7 qershorit dhe se ky spostim do të bëhej po për arsye sigurie.

Megjithatë kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë. Faqja zyrtare e UEFA-s ka bërë të ditur stadiumin se ku do të luhet kjo ndeshje dhe atje shihet se përfundimisht derbi i Ballkanit do të zhvillohet në Air Albania. Pikërisht në stadiumin që jep një emocion ndryshe, mban më shumë tifozë dhe njëkohësisht ka akustikën në një super nivel krahasimisht me Elbasan Arenën.

Një frikë që ka shoqëruar tifozët shqiptarë, por tani mund të jenë më të qetë. Sigurisht që kalimi në Elbasan do t’i ulte shumë shije kësaj ndeshje pasi atmosfera që prodhohet në Air Albania është e një tjetër niveli. Serbia do ta ketë këtë ndeshjen e parë në grup, ndërsa për Shqipërinë është e tretë pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën.

Kjo ndeshje mund të quhet si një finale e madhe për Shqipërinë, pasi nëse fitojmë, shanset për të dalë në vendin e dytë kalojnë ato të Serbisë dhe jemi më shumë favoritë se armiqtë e përjetshëm. Ndërkohë në rast barazimi apo humbje, Serbia thellon gjasat për të qenë ajo në vendin e dytë dhe Shqipëria duhet të pres për një edicion tjetër kualifikues të Botërorit. /Sport Ekspres/