Shpeshherë ndodh në fusha të ndryshme të sportit që një sportist të lërë ngjyrat e Shqipërisë dhe të përfaqësojë një shtet tjetër. Por në shumicën e momenteve, publiku i bën një “gjyq” sado të vogël dhe nën diskutimin e një tradhtie kombëtare, kjo lehtëson sadopak ngarkesën tonë emocionale dhe njëkohësisht krijon një ndjenjë të vogël faji edhe te vetë sportisti.
Por rasti i Lara Colturit është kejtësisht i ndryshëm. Skiatorja 18-vjeçare erdhi për të përfaqësuar Shqipërinë dhe na dha medalje, teksa në botërorin e skive rrëmbeu vendin e dytë duke ngritur lart flamurin e Shqipërisë. Të gjithë mediat botërore shkruajtën dhe u habitën sesi Shqipëria kishte një skiatore që ishte ndër më të talentuarat në botë dhe ishte vetëm 18-vjeçe.
Deri në moshën 15-vjeçare ajo ka konkurruar për Italinë dhe ka korrur disa suksese, por jo në turne të njohur zyrtarisht për shkak të moshës. Më pas për shkak të konkurrencës së madhe në Itali dhe presionit për rezultate, Lara u nis drejt Shqipërisë, për të përfaqësuar vendin tonë.
Por pas disa sukseseve të arritura dhe medaljeve të dhëna për Shqipërinë, Lara Colturi, italiania që nderoi Shqipërinë, pa se KOKSH-i nuk po i ofronte mbështetjen financiare të duhur. Kështu ajo i dërgoi një letër zyrtare ku i kërkoi që të largohej për të shkuar që të përfaqësonte Italinë dhe të linte përfundimisht Shqipërinë.
Pyetja është: “Si ka mundësi që KOKSH që merr jo pak mbështetje nga Qeveria në buxhet, por me miliona euro, të mos i ofrojë një mbështetje financiare një kampioni botëror si Lara Colturi, kur e gjithë bota foli për të dhe Shqipërinë?”.
Por mbi të gjitha, pyetja që shtrohet është: “Nëse në raste si Lara Colturi, një kampione dhe talent i njohur ndërkombëtarisht, i mungon një mbështetje e tillë financiare, çfarë ndodh me talentet e sporteve të ndryshme në Shqipëri, që nuk janë kaq të afirmuar sa Lara Colturi dhe mbi të gjitha nuk e kanë një pasaportë italiane apo gjermane?”.
Situata nuk duket fort e mirë, më e dhimbshmja është fakti se Lara Colturi do të iki drejt Italisë dhe askush nuk e quan dot “tradhtare”, në këtë rast askush nuk mund të akuzojë për tradhti skiatoren italiane që për disa kohë nderoi Shqipërinë.
Madje edhe nëse Shqipëria nuk i jep lejen e kalimit, Lara është gati që të djeg një vit mos prezence, vetëm për t’u rikthyer në Itali. Pasi nuk po prodhonim dot në sportet tona kampionë për shkak të mungesës së kushteve, u mendua një ide jo fort e keqe për të marrë kampionë të dënuar apo që nuk i ishte dhënë shumë hapësirë në shtete të tjera për shkak të konkurrencës.
Por edhe këta kampionë të huaj treguan pikërisht të njëjtin problem, mungesën e mbështetjes. Në fakt do të ishte më e mirë që kjo mbështetje t’i jepej sportistëve të lindur në Shqipëri dhe të formuar mes ëndrrash në këtë vend, sesa disa produkteve të tjerë të gatshëm që vijnë nga shtetet e tjera. Nëse nuk arrijmë të mbajmë dot edhe një kampione të njohur ndërkombëtarisht dhe që quhej si një prej talenteve më të mëdha në botë, situata është alarmante dhe kjo konfirmon dështimin tonë. Sado i bukur të vishet produkti, edhe nëse ka ambalazh të jashtëm, kur vjen në Shqipëri, koha e skadencës është e shkurtër. /Sport Ekspres/