Shqipëri-Serbi luhet në 25 prill! Koreanët thumbojnë serbët në shqip me Jasir Asanin: Do t’iu pushtoj shqiponja

Shqipëri-Serbi, derbi i madh i Ballkanit do të luhet në datën 7 qershor. Ka ende edhe pak kohë për të mbërritur deri në këtë takim, por një përballje e parë Shqipëri-Serbi do të vijë më afër, pas vetëm pesë ditësh. Më saktësisht kjo ndeshje do të jetë Al Hilal-Gëangju, e vlefshme për çerekfinalen e Champions League të Azisë dhe gjithçka do të vendoset brenda 90 minutash, pa ndeshje kthimi.

Por përse kjo ndeshje shihet si një përballje e parë Shqipëri-Serbi? Te Al Hilal ndodhen dy lojtarë të Serbisë, që për shumëkënd quhen edhe më të mirët e saj, Mitrovic dhe Milinkovic Savic, të dy pjesë titullarë dhe e rëndësishme e Al Hilal. Nga ana tjetër gjendet Jasir Asani, lojtari i Shqipërisë, i cili mban kreun në Champions League e Azisë me golat e shënuar.

Mitrovic dhe Milinkovic Savic kanë pasur përplasje të shumta me trajnerin e Serbisë dhe në shumë ndeshje nuk kanë zgjedhur që të vijnë në Kombëtaren e Serbisë. Por duke parë se ndeshja e qershorit është kundër Shqipërisë, me shumë gjasa, serbët do të bashkohen dhe këta dy lojtarë do të rikthehen me Kombëtaren vetëm për hir të Shqipërisë.

Deri atëherë ka ende kohë, por Jasir Asani mund të marrë fitoren e parë kundër serbëve, përpara atij takimi të 7 qershor. Sot lojtari ynë së bashku me ekipin e Gëangju është nisur për në në Jeddah, atje ku do të zhvillohet edhe ndeshja. Futbollisti shqiptar ka pasur një surprizë të bukur nga tifozët koreanë në aeroportin e Incheonit. Shumë prej tyre kanë shkuar për të përkrahur Asanin si lojtari me më shumë gola në këtë kompeticion dhe kanë kërkuar një autograf prej tij.

Ndërkohë surpriza më e bukur ishte një pankartë e bërë në gjuhën shqipe nga disa tifozë koreanë. E dëgjuat mirë, koreanët kanë mësuar të flasin dhe shkruajnë shqip dhe kjo vetëm në saj të Jasir Asanit. Ata kanë bërë një pankartë duke ngacmuar pak edhe serbët e Al Hilalit, teksa në të shkruhej: “Jasir Asani. Le të dihet se shqiponja e zezë e Shqipërisë ka ardhur për të pushtuar këtë vend”. Një surprizë e bukur që ka sjellë buzëqeshje edhe te Jasir Asani, i cili ka një mbështetje të madhe edhe nga tifozët koreanë, ndërsa sigurisht Milinkovic Savic dhe Mitrovic do t’i japin një motiv shtesë, pa harruar emra të tjerë të frikshëm që ka Al Hilali si Kulibali apo Cancelo. /Sport Ekspres/