Kristjan Asllani nuk do të jetë më pjesë e Interit. Tani është e qartë se e ardhmja e mesfushorit shqiptar është larg zikaltërve dhe ky vendim mund të quhet i zyrtarizuar që në këtë moment. Mesfushori shqiptar po vuan shumë paragjykimet e gabimeve të së shkuarës, teksa edhe në një moment kur paraqitet mirë, gjithmonë merr kritika të mëdha dhe quhet fajtori kryesor nëse Interi humbet, edhe pse në fakt nuk ka qenë ai përgjegjësi.
Kjo është parë në derbin e fundit Inter-Milan ku nga faqet e statistikave Asllani ka qenë ndër lojtarët më të mirë, por mediat më të mëdha në Itali e vlerësuan me notën 4 pasi Interi humbi. Dhe pas asaj ndeshje erdhi takimi i sotëm, atje ku Interi humbi sërish, këtë herë me Romën 0-1. Me këtë rezultat, Interi i fal titullin kampion Napolit që në rast fitore sot e lë pas Interin me tre pikë.
Por vendimi i Inzaghit në ndeshjen e sotme ishte një ofendim i madh mbi Kristjan Asllanin dhe njëkohësisht një ulje e madhe vlerash për të. Nëse Zielienski dhe çdo shpikje tjetër e Inzaghit për të mos hedhur Asllanin në fushë merrte jetë, sot fantazia e trajnerit të Interit ka shkuar larg.
Në minutën e 80 të takimit, trajneri i Interit hodhi në fushë Zielienskin në vendin e Frattesit dhe duke mos pasur një mesfushor tjetër përvec Asllanit, bëri një zgjidhje anormale vetëm për të mos hedhur shqiptarin në fushë. Inzaghi vendosi Correan, një sulmues pykë, në rolin e Barrelas, pra në rolin e mesfushorit. Edhe në momentin kur Asllani është zgjedhja e vetme, Inzaghi sërish nuk i beson dhe gjen një shpikje duke futur Correan në vendin e tij vetëm për të mos luajtur me Asllanin. Sinjali është i qartë, shqiptari nuk ka më vend në ekip. /Sport Ekspres/