Abissnet Superiore/ Percaktohet kalendari i ndeshjeve të fazës “Final 4”, shorti do të hidhet të martën në “Shtëpinë e Futbollit

Departamenti i Garave në FSHF ka përcaktuar datat e zhvillimit të ndeshjeve të fazës “Final 4”, ku do të përcaktohet kampioni i edicionit 2024/2025 të “Abissnet Superiore”, si edhe skuadrat që do të marrin pjesë në kualifikueset e UEFA Conference League.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Arena Kombëtare”, në periudhën 4–12 maj 2025. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më 4 maj, ndërsa gjysmëfinalja e dytë më 5 maj. Finalja për vendin e tretë/katërt është planifikuar për datën 9 maj, ndërsa finalja për titullin kampion do të luhet më 12 maj. Pas përfundimit të kampionatit të rregullt, u përcaktuan edhe vazot e ekipeve për Final Four, ku Egnatia dhe Vllaznia janë pjesë e vazos së parë, ndërsa Dinamo City dhe Partizani janë pjesë e vazos së dytë.

Shorti për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet më 29 prill, në ora 11:00 në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Të katër skuadrat e kualifikuara do të përfitojnë shpërblime sipas rregullores së aktivitetit. Ekipi kampion, përveç shpërblimit financiar, do të sigurojë edhe pjesëmarrjen në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa tre ekipet e tjera do të marrin pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League.