“Duhet ta pranoj, Interi më impresionoi”! Trajneri i Barcelonës duartroket kundërshtarin: Yamal? Kemi një gjeni në ekip, e pabesueshme… 

Barcelona ka barazuar 3-3 në gjysmëfinalen e parë të Champions League kundër Interit. Një ndeshje spektakolare që pa si protagonist absolut Yamal me spektaklin e tij. Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, Hansi Flick nuk ngurroi që të duartrokiste edhe Interin. 

“Nuk e nisëm mirë ndeshjen, pësuam dy gola dhe ia dolëm të riktheheshim. Kemi pasur ulje-ngritje në pjesën e dytë, ishte një ndeshje spektakolare për tifozët, tani duhet të fitojmë në Milano, është një finale para finales. 

Këtu ka ekipe të shkëlqyera, me përvojë, janë katër ekipet më të mira në Europë. Interi e dëshmoi këtë sot, kanë një avantazh në goditjen standarte dhe ne e dinim. Katër apo pesë lojtarë të tyre janë shumë të gjatë dhe e shfrytëzuan. Cdo ekip ka pikat e tij të forta dhe ishte e ditur për ne kjo pjesë, janë të gjatë, me përvojë dhe nëse kanë një shans, e shfrytëzojnë. Por më duhet ta pranoj, Interi më impresionoi.  

Yamal? Kishte një problem gjatë nxehjes, u frikësuam pak, por e pamë dhe i dhamë dritën jeshile. Është fantastik, të gjithë e dinë këtë. Në ndeshjet e mëdha, ju shihni cilësinë e këtij lojtari. Është i vecantë, një gjeni. Kur shikon detajet që bën, është e pabesueshme. Ai është aty në ndeshjet e mëdha dhe po e shijon këtë moment”, tha Flick. /Sport Ekspres/