Nga Altin Sulçe
Ajo që pamë të gjithë me Andorën, ishin tri golat dhe tri pikët. Por kjo ndeshje për llogari të eliminatoreve të Kupës së Botës, kishte edhe anët e dukshme dhe te padukshme që përftoheshin nëpërmjet gjuhës së trupit.
Dhe vështrimet në mbrëmjen e lagësht të pranverës i vodhi sërish ylli i Kombëtares sonë, Armando Broja, pavarësisht se Rei Manaj, realizoi dopietën, dhe Uzuni golin rrufe… Broja nuk ndezi shpesh motorët e tij, por ndezi thirrjet e zemrave të tifozëve, bashkë me to edhe shpresën për një rikthim të madh për ndeshjet me Serbinë e më gjerë.
Dhe Broja e ka këtë status si beniamin, pasi e ka fituar këtë dashuri të tribunave pa kushte, që herët në debutimin e tij.
Në fakt, në këto ndeshje tifozët nuk e prisnin sulmuesin te ishte prezent, pasi ai prej kohësh ndiqej nga djalli i dëmtimeve, aq shumë sa që shumë njerëz nisën të thonë që aq e pati. Këtej shpërthenin komentet, andej Broja rropatej spitaleve të Anglisë…
Befas shfaqet në listë dhe më bukur në fushë, sikur donte të thoshte: “Ja ku jam”.
E gjithë odisea nuk është e lehtë, do karakter të fortë të cilin e afishoi edhe këtë herë në Kombëtare duke rrezikuar, shumë, dëshmi e qartë që rrëfen se djali e do shumë këtë fanellë. Erdhi dhe u duk me i maturuar, më i rezervuar dhe më efikas.
Gjate gjithë ndeshjes me Andorën u fut shumë pak në aventurë, vetëm 3 herë, ku në driblimin e parë mori faullin e golit, në të dytin bëri perfekt kamarierin për Rei Manajn, i cili shënoi me portën bosh e kështu me radhë.
Broja më parë në ato pozicione godiste dhe kritikohej që nuk shërbente, kujtojmë këtu golin me Hungarinë në pozicion të pjerrët. Këtë ndeshje dukej më i pjekur, mbase dhe më i kujdesshëm.
Nuk donte më të shkonte për analiza të tjera mjekesore të mërzitshme, që i kanë ardhur në majë te hundës, prandaj vetëm pasonte. Me shumë mundësi edhe stafi i Everton e ka porositur: “Shko, por ki kujdes”! Dhe kjo është mëse normale, duke parë edhe kalvarin e dëmtimeve.
Broja u duk më i qetë, më lider, më profesionist dhe kjo është simptomë e një rikthimi të shumëpritur. Dikush më tha në stadium se sekreti që Broja është mirë është glikoja e Përmetit, të cilën Armando e pëlqen… Ca s’ndodh, ndonjëherë edhe duhet besuar…?! /Sport Ekspres/