A është ky Europiani më i dobët i të gjitha kohërave? Çudia e madhe e Francës, ka shënuar 0 gola dhe është në gjysmëfinale

Me shumë mundësi, Europiani i Gjermanisë, është më i dobëti i të gjitha kohërave. Ka shumë statistika dhe fakte që e dëshmojnë të gjithën këtë. Fillimisht që në vendin e parë të golashënuesve nuk kryeson as Mbappe dhe as ndonjë yll tjetër, por autogolat. Asnjëherë nuk janë shënuar kaq shumë autogola sa tani dhe kjo tregon mungesën e madhe të përqendrimit në futboll.

Për të vazhduar më tej, surprizat u shtuan aq shumë sa e humbën bukurinë e saj. Shumë ekipe të vogla në letër që ia dolën për të kaluar grupet dhe minimizuan nivelin me ekipet e mëdha, aq sa shpeshherë ngatërroheshin edhe emrat e skuadrave nëse nuk do të shikoje me kujdes fanellën.

Dhe për ta mbyllur, Franca është një rast studimi më vete. Flasim për një Kombëtare që ka shumë yje në përbërje dhe të gjithë prisnin spektakël, por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Madje Franca ka arritur në gjysmëfinalen e Europianit pa shënuar një gol të vetëm. Po, e lexuat mirë, pa shënuar qoftë edhe një gol të vetëm me aksion apo nga aftësia individuale e një lojtari.

Në ndeshjen e parë fituan 0-1 ndaj Austrisë me një autogol, në ndeshjen e dytë barazuan me Hollandën 0-0, në ndeshjen e tretë barazuan 1-1 ndaj Polonisë pas golit me penallti të Mbape, në ndeshjen e katërt fituan 1-0 ndaj Belgjikës falë një tjetër autogoli dhe çerekfinalja me Portugalinë, që u vendos nga ruleta ruse. Sigurisht, në fund është suksesi dhe rezultati që flet, por në fund të fundit, futbolli luhet për tifozët dhe tifozët këtë herë panë një Europian që po shkon në fazën gjysmëfinale, por që realisht… nuk ka nisur ende. Spanjë-Gjermani dha një shkëndijë të vogël spektakli, por që ishte shumë pak. /Sport Ekspres/