Afrimi i ri i Silvinjos shkëlqen në finale, ndihmon e ekipin të fitojë trofeun me dy asiste

Arbër Hoxha është afrimi i ri i Silvinjos në Kombëtaren shqiptare. Anësori 25-vjeçar ka ndihmuar sot ekipin e tij të fitojë trofeun e dytë në këtë sezon. Pas kurorëzimit si kampionë të kampionatit kroat, sot Dinamo e Zagrebit u shpall edhe fituese e Kupës së Kroacisë. Arbër Hoxha ka shkëlqyer në finalen kundër Rijekës, teksa ka dhënë asist në dy golat e parë të ndeshjes.

Fillimisht Hoxha asistoi për Suçiçin në minutën e 28 të takimit, ndërsa në të 42-tën dha pasimin e fundit për Baturinën. Golin e tretë për Dinamon e Zagrebit e shënoi Bulati, i cili e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 82-të. Toni Fruku ngushtoi diferencat në minutën e 92-të, por goli i tij në fund i vlen vetëm statistikave. Me finalen e parë të përfunduar 0-0 dhe më të sotmen në shifrat 1-3 për Dinamon e Zagrebit, trofeu i Kupës së Kroacisë shkon te këta të fundit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/