Agim Ademi habit: Çfarë t’i themi Zenelit që iku te Suedia? E kam problemin me Brrutin te Shqipëria

Në Kosovë ka pasur një presion të madh për Etnik Brrutin pasi ky i fundit zgjodhi që të ishte pjesë e Shqipërisë. Brruti ka qenë pjesë e Kosovës U-21, por pas zgjedhjes së tij për t’u veshur kuqezi, trajnerët dhe opinionistë sportiv në Kosovë e kanë kryqëzuar lojtarin e Malishevës si të ishte duke bërë gabimin më të madh të jetës së tij. Një situatë tërësisht e çuditshme kjo ndërsa dardanët reaguan menjëherë me mbrojtësin e Prishtinës, Gallapenin, duke i ndryshuar mendjen pasi edhe ky lojtar do të vishej kuqezi.

I ftuar në “ATV” ishte kreu i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi. Numri një i Kosovës ka shprehur hapur pakënaqësinë me mënyrën sesi Shqipëria po vepron për të marrë lojtarët shqiptarë të Kosovës në Kombëtare. Madje Ademi nuk ngurroi të shprehej se për të nuk kishte asnjë lloj problemi që vëllai i Arbër Zenelit, Besfort Zeneli zgjodhi që të luante për Suedinë, por problemi i tij kryesor dhe i vetëm ishte sesi Etnik Brruti shkoi te Shqipëria. Në këtë mënyrë Ademi mbështeti idenë se lojtarët duhet të luajnë atje ku rriten dhe zhvillohen, megjithëse Besfort Zeneli nuk shkoi te Kosova pasi pa trajtimin që FFK i bëri vëllait të tij, Arbër Zenelit.

“Lojtarët e Kosovës janë arsyeja se përse Shqipëria merr rezultate pozitive, edhe Kombëtarja e Femrave të Shqipërisë u krijua me vajza nga Kosova. Kur ne nuk kemi qenë të pranuar në UEFA e FIFA, mezi prisnim të shkonim në Shqipëri. Besfort Zeneli e ka pasur ëndërr që të luante te Suedia dhe është rritur në Suedi, çfarë mund t’i themi ne atij, ai është rritur atje. Më vjen keq që lojtarët që zhvillohen këtu dhe na ikin si rasti i Brrutit. Si ka qenë rasti i Ardian Ismajlit, i cili nga U-21 na iku në Shqipëri. Brruti na iku te Shqipëria pa asnjë paralajmërim. Brruti të paktën duhet ta pranojë se po ikën për interes te Shqipëria. Shqipëria le të marrë lojtarë nga kudo, por jo lojtarë që i kemi ftuar ne. Se ne po i rrisim dhe po i zhvillojmë dhe tani gjenden gati këta. Fanella e Kosovës është peshë e rëndë, çfarë shembulli po jep Brruti kështu? Një lojtar i lindur dhe i rritur në Kosovë, ndërsa familjet tona që emigrojnë jashtë i edukojnë fëmijët duke i thënë se rrënjët i kanë në Kosovë, se origjinën e kanë në Kosovë”, tha Agim Ademi.

Gjithashtu gazetari e ka pyetur Agim Ademin nëse ekziston mundësia për ta penguar një lojtar që të shkojë në një Kombëtare tjetër, ndërsa Ademi u shpreh se e kanë tentuar në disa raste, por i vetmi rezultat që merr nga e gjitha kjo është vonesa e procedurave që do t’i hapësh lojtarit, por nuk mund ta bllokosh dot atë dhe zgjedhjen e tij. /Sport Ekspres/