Situata e Armando Brojës te Fulhami është një mister më vete. Sulmuesi shqiptar ka 3 ndeshje që nuk po grumbullohet nga trajneri Silva. Po flasim për një lojtar, që vetëm tre muaj më parë trajneri i Chelsea, Pochetino, tha këto fjalë për të: “Është një prej sulmuesve të rinj me më shumë prespektiv në Europë, më kujton situatën e Harry Kane”.
Dhe vijmë pikërisht në këtë moment, kur Broja po lihet në tribunë te Fulham. Për fatin e mirë ndeshja me Suedinë tregoi se sulmuesi ishte në super formë dhe nuk është kjo arsyeja se pse po ngel jashtë Fulhamit. Atëherë, përse po vjen ky vendim?
Në një analizë dhe teori të ngritur, mund të jetë edhe një parakontratë e refuzuar nga Broja. Këtë ide e dëshmon deklarata e fundit e trajnerit të Fulham për Brojën. Silva tregoi edhe njëherë tjetër se Broja është një sulmues me aftësi shumë ndryshe nga Jimenez dhe Muniz, gjithashtu tregoi dëshirën e tij të madhe që shqiptari të mbërrinte në Fulham.
E teksa gazetarët e pyetën Silvën nëse është zbehur dëshira që të blejë kartonin e Brojës, trajneri çuditi me përgjigjen e tij: “Nuk varet vetëm nga ne”. (Diskutimin e plot për situatën e Armando Brojës e gjeni në videon më poshtë të Koha Shtesë).
Pra trajneri la të nënkuptohet se klubi dëshiron që ta blejë Armandon, por është lojtari dhe klubi i Chelsea që duhet të pranojë marrëveshjen. Në mënyrën paradoksale, sulmuesi ka përfunduar në tribunë për tre ndeshjet e fundit dhe nuk ka luajtur ende një ndeshje si titullar që nga koha e huazimit nga Chelsea.
Në mes të “errësire mediatike” ka shumë gjasa që ky vendim rreth Brojës të jetë marrë pasi Fulham dëshiron të nënshkruajë me këtë lojtar, jo në formën e huazimit, por të blerjes dhe është hasur me refuzimin e vetë lojtarit. Kështu trajneri e ka dërguar në tribunë, për sa kohë rezultatet i japin të drejtë me shpërthimin e Munizit. /Sport Ekspres/