Atalanta ka siguruar sot fitoren e 9 radhazi. Bergamaskët kanë mposhtur me shifrat 2-1 Milanin, duke marrë kreun e renditjes në Serinë A. Tifozët tashmë kanë nisur të këndojnë për titullin kampion dhe Gasperini nuk ka dëshirë t’ua ndërpresë festën. Trajneri i Atalantës ka thënë për “Sky Sports” pas ndeshjes se tifozët duhet ta shijojnë këtë çast, por nga ana tjetër thekson se mbështetësit e zikaltërve dinë t’i mbajnë këmbët në tokë. Sa i përket deklaratave të Fonsekës për arbitrim në dëm të Milanit, Gasperini është shprehur se kjo e sotmja ishte një fitore e merituar që nuk mund të bëhej pis.
“9 fiotre radhazi? Është një seri e shkëlqyer. Është e vështirë për t’u arritur në një kampionat si Serie A. Sot e arritëm në një mënyrë absolutisht të merituar. Sa i përket numrave, ne ishim superior. Nuk u kënaqëm asnjëherë, kurrë nuk u përpoqëm të humbnim kohën. Nuk është një ndeshje që mund të bëhet pis. Atalanta e meritoi fitoren.
Nuk mund të flasim për Skudeton. Tifozët këndojnë për titullin kampion, sepse Atalanta nuk ka qenë kurrë në këtë pikë në muajin dhjetor. Lërini të këndojnë, tani është një shpërthim gëzimi, të cilin mund të mos e mendojmë më kurrë. Por në Bergamo njerëzit i kanë këmbët në tokë, të gjithë i dinë vështirësitë”, ka deklaruar Xhanpiero Gasperini./Sport Ekspres/