Arbër Hoxha çmend gjithë Turqinë, e pranon edhe trajneri i Fenerbahces: Më befasoi, nuk e prisja kështu…

Dikur Silvinjo ishte i paprekshëm në Shqipëri teksa edhe analistët më kritikë të Kombëtares, kur vinte puna për të analizuar kuqezinjtë, ndaleshin dhe jepnin vetëm komplimente për trajnerin tonë. Rezultatet që Silvinjo po korrte ishin fantastike duke marrë stofin e të paprekshmit.

Por arsyeja e parë që Silvinjo nisi të kritikohej në Shqipëri ishte Europiani i Gjermanisë dhe më konkretisht ndeshja me Kroacinë, Arbër Hoxha. Ky i fundit hyri shumë vonë në fushë dhe dhuroi një ndeshje fenomenale, duke bërë që të gjithë t’i suleshin Silvinjos me të drejtë, që përse priti aq gjatë dhe nuk e hodhi Arbër Hoxhën më parë në fushë.

Më pas futbollisti ynë nuk e mbajti dot pritshmërinë në këto nivele dhe nisi të sfumohej disi duke u lënë në stol për shumë ndeshje te Dinamo Zagreb, madje në atë sezon duke mos e provuar kurrë shijen e Champions League, pavarësisht se Dinamo Zagreb ishte kualifikuar në Champions.
Dhe gjithë magjinë e përjetuar nga tifozët e Shqipërisë, gjithë komplimentet për atë ndeshje me Kroacinë, Arbër Hoxha i ka përjetuar për herë të parë dje me Dinamo Zagrebin. Dinamo Zagreb fitoi ndaj Fenerbahces në shifrat 3-1 në Europa League dhe për ndeshjen e dytë radhazi, Arbër Hoxha ishte më i miri në fushë.

Shqiptari i dha fitoren ekipit të tij ndaj Hajduk Split në derbi pak ditë më parë dhe dje dhuroi një asist dhe një performancë të nivelit të lartë ndaj Fenerbahces. Për median kroate Sportske Jutarnji, Arbër Hoxha ishte më i miri në fushë dhe meritonte notën 7.5.

“E shkatërroi krahun e tij, e bëri autostradë. Nga ajo ndeshje e Arbër Hoxhës, detyroi mbrojtësin e krahut të Fenerbahces, Soyunucu, të largohej nga fusha më pas e bëri edhe Semedon të vuante. Asistoi për golin e dytë”, shkruhet në median kroate.

Kështu shqiptari bëri që mbrojtësi i Turqisë, Soyuncu, të ulej në stol para kohe dhe në Tëitter shpërthyen komentet nga tifozët në Turqi që pyesnin: “Cfarë është ky futbollist? Nga doli ky lojtar? Te cili ekip i Turqisë do të firmos pas kësaj super ndeshje?”.

Nuk ishin vetëm komentet e këtyre tifozëve të thjeshtë që e vlerësuan Hoxhën, por edhe legjenda e Turqisë, Nihat Kahveci, reagoi në lidhje me këtë temë. “Hoxha majtas, Hoxha djathtas, Hoxha preku topin, Hoxha dribloi, Hoxha hyri në zonë, Hoxha pasoi, Hoxha, Hoxha, Hoxha…Mjaft, na lodhët sot, nuk e di nëse ky lojtar është vërtet kaq i madh, megjithëse sot ishte i tillë”, tha Kahveci.

Sulmuesi shqiptar u kthye në temë diskutimi edhe në konferencën për shtyp. Një gazetar kroat e pyeti trajnerin e Fenerbahces sesa e befasoi Arbër Hoxha në ndeshje pasi pritej të ishte në stol siç ndodh zakonisht, por luajti dhe ishte ylli i ndeshjes.

Edhe trajneri i Fenerbahces, Domenico Tedesco, e pranoi befasinë nga shqiptari: “Nuk e dija që do të luante, ishim pak të befasuar në fakt. Hoxha ishte shumë i shpejtë, shumë i fortë me topin, një lojtar shumë i mirë”.

Ndërkohë trajneri i Dinamo Zagrebit, pasi dëgjoi këto fjalë nga kolegu i tij tha: “Unë jam i befasuar që te Fenerbahce u befasuan kështu nga Arbër Hoxha. Hoxha bëri një performancë mbreslënëse dhe ndaj Hajdukut dhe duhet respektuar. Jam shumë i lumtur për të, i meriton të gjitha”, tha Kovacevic.

Një super formë e Arbër Hoxhës që vjen në momentin ideal pasi edhe për pak ditë Shqipëria do të përballet kundër Serbisë në Leskovac për të luajtur finalen e madhe të vendit të dytë. /Sport Ekspres/