Arbër Hoxhën e pret një tjetër “Europian”, ylli shqiptar do të luajë kundër më të mirëve në Champions League

Dinamos Zagreb është pranë kalimit në fazën e grupeve të Champions League, ndërsa ka bërë një punë të mirë në Maksimir duke mundur Qarabag 3-0 në turin e parë të Play Off. Do të ishte një befasi e madhe nëse Qarabag do të përmbyste kroatët në ndeshjen e kthimit, por kjo duket se nuk ka asnjë gjasë që të ndodh.

Në këtë skuadër po luan gjithmonë si titullar edhe Arbër Hoxha, që e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë. Por siç dihet, Champions League ka një sistem të ri duke filluar nga ky sezon. Nuk janë më grupet klasike, por do të jenë si një kampionat ku 8 ekipet e para do të vazhdojnë garën në fazën e 16 më të mirave, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i 9-24, do të luajnë më tej për të mbërritur te 16 më të mirat.

Dinamo Zagreb ndodhet në vazon e tretë dhe do të ketë kundërshtarë të klasit të lartë. Përshembull, vazo e parë ka emra shumë të frikshëm Real, Man City, Bayern, PSG, Liverpul, Inter, Dortmund, Barcelona. Madje as vazo e dytë nuk është më pak e frikshme me Leverkusen, Juventus, Milan, Arsenal, Atletiko Madrid. Kështu për Arbër Hoxhën, ky do të jetë një “Europian” i dytë ku mund të ketë mundësi që të shkëlqejë ndaj skuadrave të mëdha dhe të bëj një hap më të madh në karrierë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/