Igli Tare ka dhënë një intervistë për portalin gjerman “TZ”. Ish-drejtori sportiv i Lacios ka dhënë mendimin e tij për përballjen mes ish-skuadrës së tij dhe Bajernit të Mynihut. Sipas tij, bavarezët i kanë nënlerësuar bardheklatrit, pasi kanë marrë si etalon matës duelin e tre viteve më parë në Ligën e Kampionëve, në të cilin Bajerni e eliminoi lehtësisht Lacion. Sa i përket ndeshjes së humbur kundër Milanit, Tare drejton gishtin nga arbitri, të cilin e fajëson për vendimet e gabuara që mori gjatë lojës.
“Ekziston një ndjesi që Bajerni e ka nënvlerësuar Lacion. Ata nuk e menduan se Lacioja sot është një ekip me shumë më tepër përvojë, me shumë lojtarë që tashmë kanë luajtur ndeshje të tilla të rëndësishme. Për mendimin tim, Bajerni mbetet favoriti. Lacioja, sidoqoftë, luajti një ndeshje të shkëlqyer në Romë.
Për të shkuar larg në këtë garë është e rëndësishme të shmangësh dëmtimet në çastet vendimtare dhe të luash me vazhdueshmëri deri në fund të ndeshjeve. Bajernit i mungon vazhdueshmëria gjatë sezonit, nuk është më skuadra që jemi mësuar ta shohim. Diferenca prej 10 pikësh në kampionat e dëshmon këtë.
Ndaj Milanit (lojtarët e Lacios) e meritonin të fitonin. Fatkeqësisht, arbitri kishte një ditë të keqe dhe vendimet e tij kishin një ndikim madhor në rezultatin përfundimtare”, ka deklaruar Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/