Igli Tare mund të quhet përfundimisht drejtori i ri sportiv i Milanit. Gjithçka është mbyllur dhe shqiptari do të jetë në kryesim të punës të një prej klubeve më të njohura në Itali dhe në Europë.
Kushti i vetëm dhe kryesor i Tares në marrjen e kësaj pune ka qenë liria. Tare ka kërkuar që të jetë ai njeriu që të ketë lirinë e plotë në zgjedhjen e lojtarëve dhe të trajnerit, pa u ndikuar nga askush tjetër në klub.
Sipas mediave italiane, kontrata e nënshkruar prej tij do të jetë me formulën 2 plus 1, pra me të drejtën e rinovimit edhe për një sezon tjetër. Ndërkohë pritet që shqiptari të zyrtarizohet të hënën dhe të prezantohet nga kuqezinjtë si drejtori i ri sportiv. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/