Panathinaikos arriti që të fitonte në shifrat 1-0 kundër AEK. Për herë të parë në Greqi është vendosur seriozisht në dyshim edhe pozita e Thomas Strakoshas. Shqiptari kaloi nga Brentfordi me rolin e titullarit te AEK, por edhe me një konkurrencë të fortë si Brignoli, që ka eksperiencë në Serinë A.
Strakosha përdorej në ndeshjet e kampionatit, ndërsa Brignoli në ato të Kupës. Por në ndeshjen e djeshme, portieri shqiptar bëri një gabim të madh duke shkaktuar një penallti tërësisht të evitueshme, teksa kundërshtari po dilte nga zona e rrezikshmërisë.
Më pas Strakosha nuk arriti dot që të shpëtonte portën nga 11-metrat dhe këtu u vendos historia e takimit. Menjëherë pas ndeshjes, presidenti i AEK, Iliopoulos, fajësoi shqiptarin për humbjen. “Ne luajtëm shumë mirë, por ia dhuruam fitoren kundërshtarit, ishte dhuratë, me një penallti komplet të panevojshme. As vetë Strakosha nuk e dinte se çfarë po bënte në atë moment”, tha presidenti i AEK. /Sport Ekspres/