PSG-ja ka kryer me sukses pjesën e parë të misionit në Ligën e Kampionëve. Parisienët kanë marrë një fitore 0-1 në transfertën ndaj Arsenalit. Por Luis Enrike ka qendruar me këmbë në tokë dhe ka theksuar në konferencë për shtyp se ky rezultat ende nuk u ka siguruar asgjë. Madje ka risjellë në kujtesë përballjen kundër Liverpulit. Të kuqtë fituan 0-1 në Paris, por humbën në “Enfild” dhe u eleminuan nga Liga e Kampionëve.
“Ishte një atmosferë e pabesueshme në stadium. Ishte një zhurmë shurdhuese në stadium. Goli na dha vetëbesim në pjesën e parë, të cilën e kontrolluam mirë. Mund të ishte më mirë, mund të ishte më keq. Tashmë të presim ndeshjen e kthimit. Mund të humbasim, mund të fitojmë, por garojmë në fushë. E pamundur të vish e të luash ndaj Arsenalit, një ekip të këtij niveli, dhe të jesh hezitues. Ne dhamë gjithçka, si kur kishim topin, edhe kur nuk e kishim topin. Nuk mund të mbrosh ndaj Sakasë, Martinelit apo Odegardit nëse nuk kthehen të gjithë pas për të mbrojtur.
Objektivi i parë i ndeshjes së parë është arritur. Ky është rezultati, nuk mund ta ndërrojë askush. Duhet të fitojmë edhe ndeshjen e dytë në shtëpi. Ata mund të shënojnë një gol dhe mund të kthehet loja në barazim. Ata nuk kanë asgjë për të humbur. Kur luajtëm me Liverpulin, ata fituan 0-1, por ne nuk u dorëzuam. Kështu që asgjë nuk është siguruar. Ndeshja e kthimit do të jetë mjaft e bukur për tifozët, por me vuajtje për ne trajnerët”, është shprehur Luis Enrike./Sport Ekspres/