Kjo verë pritet ta gjejë Kristjan Asllanin në një skuadër të re. Mesfushori shqiptar ka refuzuar ofertat e ardhura nga jashtë Italisë, pasi dëshiron të vazhdojë karrierën në Serinë A. Nga ana tjetër, Interi po kërkon që të gjejë një ekip të ri për Asllanin, i cili duket se nuk është pjesë e projektit për të ardhmen.
“Calciomercato.com” bën me dije se zikaltrit do të përdorin Asllanin dhe para për të joshur Atalantën. Interi pëlqen profilin e Ademola Lukmanit, prandaj do të ofrojë të ardhura dhe kartonin e mesfushorit shqiptar për të kryer këtë transferim. Sakaq, edhe drejtuesit e klubit Atalanta e pëlqejnë profilin e lojtarit të Kombëtares shqiptare. Në rast se do të kryhej me sukses një transferim i tillë, atëherë Kristjan Asllani do të bëhej shok skuadre me Berat Gjimshitin, me të cilin ndan fushën te Kombëtarja kuqezi./Sport Ekspres/