Partizani nuk e ka shfrytëzuar faktorin fushë në përballjen e sotme kundër Marsasloxx-ut, të vlefshme për turin e parë kualifikues të Conference League-s. Të kuqtë kanë barazuar me shifrat 1-1 dhe kalimin në turin e dytë do ta provojnë në Maltë. Orges Shehi ka hedhur poshtë idenë se klubi maltez është më i dobët në letër dhe se Partizani e kishte detyrim fitoren. Në intervistën e dhënë për mikrofonin e “MCN TV”-së pas përfundimit të ndeshjes. Shehi ka analizuar çfarë shkoi keq për nënkampionët e Shqipërisë.
“Bëni gabim që i vlerësoni kundërshtarët kështu, futboll luajnë të gjithë. Kundërshtari kishte lojtarë cilësore, ka stacionet e veta ku ndërtojnë lojën. Lojtarët i ka nga vendet e Amerikës Latine, nuk është konstatim i drejtë. U munduam të bënim gjithçka, kishim rastet tona. Po të kishim shfrytëzuar rastet, do të kishim rezultat më të mirë. Kualifikimi është me 2 ndeshje, të rikuperojmë forcat dhe të përgatitemi për ndeshjen tjetër.
Kundërshtari në pjesën e dytë u mbyll, pjesa e parë ishte tabllo tjetër. Provuam me krosime nga linja e dytë dhe goditjet nga distanca. E filluam ndeshjen keq, shënuam shpejt, një mos përqendrim na shkaktoi barazimin. Skuadra u mundua të bënte më mirë, doli përpara portës. Dëshira e madhe për ta fituar ndeshjen bëri që të gabojmë në situata që mund t’i kishim zgjidhur më mirë. Kemi 1 javë kohë, kjo është ndeshja jonë e parë zyrtare. Na duhet qartësi dhe freski. Do punojmë këtë javë, për të gjetur pikat ku duhet të përmirësohemi. Do të shkojmë atje për kualifikimin”, ka deklaruar Orges Shehi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/