“Autoritetet serbe pranuan de facto flamurin e Kosovës në territorin e tyre”, Duka: Ta shohim si zhvillim pozitiv, ndodhi për herë të parë

Armand Duka ka dhënë mbrëmjen e sotme një intervistë për emisionin “Favorit”, ku ka sqaruar se çfarë ndodhi në kongresin e UEFA-s në Beogras. Kreu i FSHF-së ka deklaruar se për të parën herë flamuri i Kosovës është pranuar de facto nga Serbia. Sipas tij ky është një hap i pozitiv zhvillimi, që vjen pikërisht prej sportit.

“Në Kongresin e UEFA-s në Beograd, ku ka marrë pjesë delegacioni shqipar, delegacioni i Federatës së Kosovës dhe i të gjithë federatave të tjera, çdo gjë ka qenë normale. Kur kemi hyrë në hollin e kongresit një natë përpara, ku bëhet një pritje zyrtare, kanë qenë të gjithë flamujt e vendeve pjesëmarrëse, përfshirë edhe flamurin e Kosovës.

Në atë moment, kur ne kemi qenë bashkë, delegacioni shqiptar dhe i Federatës së Kosovës, i kryesuar nga Agim Ademi kemi bërë një video të flamujve shqiptarë dhe kosovarë dhe është publikuar nga ne. Pastaj çdo gjë ka qenë normale. Edhe të nesërmen në kongres përsëri ka qenë normale. Flamuri dhe simbolet e të gjithë shteteve kanë qenë në tavolinat e pjesëmarrësve në kongres. Menaxhimi nga ana jonë i asaj situate mbase nuk ka qenë në mënyrë strategjike më i miri, sepse ne e publikuam atë video.

E publikuam atë video jo për të provokuar njeri në Serbi, jo për t’u treguar triumfatorë. Por për të sjellë një shembull zhvillimi. Askush të mos mendojë se flamujt atje vendosen pa miratimin e autoriteteve serbe. Ky ishte një hap pozitiv, që de fakto autoritetet serbe pranojnë flamurin e Kosovës në territorin e tyre dhe në një aktivitet zyrtar ndërkombëtar. Kjo më shumë për t’u përshëndetur si një zhvillim pozitiv, sepse është mirë nëse Kosova ka sa më shumë njohje.

Njohja nga Serbia është një zhvillim akoma më pozitiv. Kam parë të nesërmen që një grup ekstremistësh, jo më shumë se 4-5 vetë me çfarë kam parë në video, kanë djegur flamurin e Kosovës. Nga pikëpamja e protokollit ka qenë e përgatitur gjithçka mirë. E kam parë si zhvillim pozitiv. E kam parë që flamuri i Kosovës për herë të parë vendoset në Serbi”, ka deklaruar Armand Duka./Sport Ekspres/