Shpeshherë kurioziteti mbi shifrat martelon, dhe preson fort. Aq më shumë kur bëhet fjalë për treg lojtarësh, dhe elementë cilësorë me karton me peshë. E në këtë kuadër, të gjithë rrejnë nga pak, ca me dëshirë, ca me porosi, ca me fantazi, e në përfundim, arka e klubit paska shpërthyer e presidenti qënkësh bërë befas një ditë të bukur “super milioner”.
Dhe rasti në fjalë si një barcaletë e bukur gushti lidhet me Dinamon dhe shitjet e stërfolura së fundmi për dy diamantët e saj, Itodo Mandela, dhe big-playerin e kampionatit tonë Zabërgja, ose Zabin, sic shokët e thërrasin. E teksa Dinamo shijon rrugëtimin në Europë pas kaq e kaq vitesh harrese, shifrat e fundit po tërbojnë dynjanë, në një kohë që fantasia ka kaluar cdo lloj adrenaline, e për pasojë cdo lloj niveli lajthitjeje. “Ad Bardhi paska bërë shumë lekë, dëgjova në një tavolinë ngjitur, dje teksa pritej te niste ndeshja e kthimit në Elbasan e Dinamos…Vërtetë, – I thashë, po sa ka marrë. I ka shitur të dy, mbi 2.5 milionë, llaf i sigurtë,- shtoi ai tipi dhe realisht e besoi që e besova..!
Po kështu edhe vala e madhe e shifrave përcjellë në kanale të ndryshme mediatike e nxori Dinamon në nivele të frikshme inkasimi.
Nëse do ishte kështu s’do kish asgjë të keqe, asgjë anormale, përkundrazi, një standart tjetër mbi të ardhurat që futen në një klub futbolli, por që realisht shifrat që qarkullojnë, janë tërësisht të dyfishuara në raport me letrat e nënshkruara. E më konkretisht, vënë në dispozicion edhe nga klubi, zyrtarisht kjo është situata:
Baton Zabërgja është shitur me vlerën e 700 mijë eurove dhe Itodo Mandela me vlerën e 600 mijë eurove. Shifra këto në kontratë autentike me të zezën në të bardhë. Madje edhe në afate kohore pagese, jo me full pagesë të plotë direkte. Për kontratën e Zabërgjas (që gjithsesi Bardhi nuk e ka vënë ende firmën finale, pasi po merr kohën e vlerësimit për ta mbajtur sërish), pagesa realizohet gjysma në momentin e kalimit, pra, pas kupave të europës me Dinamon, praktikisht para fund-gushtit, dhe gjysma në tetorin e ardhshëm të 2026-tës. Për Mandelën, gjysma e kontratës së shitjes prej 600 mijë euro ekzekutohet në momentin e kalimit, dhe gjysma tjetër në mars-prillin e vitit të ardhshëm. President Bardhi nuk flet me zë, por me dokumente, teksa duke gëlltitur një caffe’ Pascucci të shpejtë dhe duke parë pak highlitset e sfidës së Hajdukut (kundërshtar i ardhshëm i Dinamos në 7 gusht) shohim që shifra reale e të dy lojtarëve qënka krejtësisht tjetër, me dokument zyrtar, dhe jo me fantazi deti në kohë gushti. Total: 1.3 milionë të dy lojtarët, me afate pagese një vjecare.
Dikush do të thoshte pse Itodo aq pak para? Sepse vetë problematikat e lojtarit për një penalizim në territorin europian deri në 2028-tën e bëjnë që të mund të transferohet vetëm në atë kampionat, ku rrethanat e lejojnë të luajë. Në këtë prizëm Dinamo vlerësoi ofertën për të dy, duke menduar që një më e mirë nuk mund të vinte në një të ardhme të shpejtë apo të largët, teksa në anën tjetër “kontabilistët” e ndryshëm skuilonin te Bardhi me refrenin e bukur: Hallall, Ad Bardhi, more një mal me lekë….!
E në fakt do ishte mirë të ishte kështu, sepse nëse do të merrte një mal me lekë, ka lënë tërë këto vite shumë vargmale, për të ardhur në këtë ditë, ku realisht falë edhe invesimit të tij, nisi të funksionojë edhe zëri hyrje në financat e klubit.
Por, Bardhin, barcaleta e shifrave sa e ka dëfryer, aq edhe e ka habitur se deri ku mund të shkojë fantasia e dynjasë për një xhep që nuk i përket askujt, por që natyrisht kurioziteti tmerron dhe prodhon perla. Natyrisht që Dinamo arkëton edhe me hyrjet në Europë, ku deri tani po zyrtarisht ka shkuar në kuotën e 700 mijë eurove inkasim, dhe ai është një tjetër zë.
Sidoqoftë historia e shifrave të shitjes së Zabit dhe Itodos, kaloi cdo lloj skeme lajthitjeje, duke e pickuar presidencën në shumë anë:
“O robo, shumë lekë paske mor, bravo….” Në fakt, financat te Dinamo nuk është se kanë ngacur ndonjëherë, thjesht këtë radhë, ose më mirë këtë vit ka nisur të jetë aktiv edhe mekanizmi i hyrjeve, dhe jo vec dalje financiare. Pjesa e shifrave që flet bulevardi? Të kujtojnë aventurat e Nils Holgersonit, gjithmonë nën tingujt e Çelentanos: “La situazzione economica, non e’ buona…!”